Një javë pas inaugurimit, Presidenti Donald Trump urdhëroi Pentagonin që të rishikonte arsenalin bërthamor amerikan. Përfundimet dolën këtë muaj me një propozim për modernizimin e aftësive bërthamore nga ajri, deti dhe toka. Ndërkohë, në sipërfaqe ka dalë një çështje më e debatueshme. Në emisionin televiziv të Zërit të Amerikës “Plugged In with Greta Van Susteren” gazetarja flet për Strategjinë Bërthamore dhe çështjen e armëve bërthamore me fuqi të vogël.
Armët bërthamore janë bërë kaq të fuqishme saqë vetëm mendimi se mund të përdoren është frenues në vetvete. Rishikimi i strategjisë bërthamore nga administrata Trump vjen me propozimin për ndërtimin e armëve bërthamore me fuqi të vogël për t’u përshtatur me veprimet e Rusisë. David Trachtenberg është Zëvendës-nënsekretar i Mbrojtjes.
“Mendojmë se Rusia beson se nëse përdor ose kërcënon me përdorimin e armëve më pak të fuqishme ose që reduktojnë nivelin e shkatërrimit ....kjo e vë Amerikën në pozitë ku nuk ka aftësitë për të reaguar njëlloj, ose reagimi ynë do të jetë i shkallëzuar dhe shumë më masiv.”
Armët bërthamore me kapacitet të vogël pothuajse kanë të njëjtën fuqi si bombat me të cilat Amerika goditi Hiroshimën dhe Nagasakin, 15 deri 20 kiloton. Pjesa dërmuese e arsenalit amerikan dhe rus është shumë më e fuqishme.
Droja se Rusia ka dhe mund të përdorë armë bërthamore me fuqi të kufizuar po nxit politika amerikane për të zhvilluar armë të tilla. Matthew Kroenig është ekspert në Universitetin Georgetown.
“Mendoj se ka prova të shumta që Putini tani nuk frenohet nga strategjia jonë aktuale bërthamore. Ai mendon se mund të ndërmarrë një sulm të kufizuar bërthamor dhe të kalojë pa u ndëshkuar, prandaj ne duhet të bëjmë diçka ndryshe.”
Hans M. Kristensen është ekspert në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë.
“Nocioni se kemi njëfarë hendeku dhe se kjo ka ndikim në atë që bëjnë rusët, mendoj se është i gabuar.”
Peter Huessy punon në Insitutin Mitchell për Studimet e Hapësirës.
“Avantazhi që kemi për frenimin e kundërshtarit, është se ne kemi alternativa dhe jo një rrugë të vetme.”
Psikologjia e të paturit armë bërthamore më të vogla është e rrezikshme, thotë senatori Sam Nunn:
“Sipas meje, nëse Amerika dhe Rusia fillojnë të flasin për mundësinë e përdorimit dhe kjo projektohet tek shtatë fuqitë e tjera bërthamore, atëherë bota do të bëhej tepër e rrezikshme.”