Një polic është plagosur në një incident me armë zjarri të mërkurën pranë Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, njoftuan autoritetet.
Media lokale thotë se të paktën një person i dyshuar është ndaluar. Videot tregonin një person në pranga, ulur në tokë i rrethuar nga policët pranë hyrjes së fortifikuar të bazës ushtarake në Fort Meade të Merilandit, ku ndodhet edhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Në pamje shfaqet një automjet i zi i përplasur me një barrierë prej betoni. Në dritaren e përparme të tij duken vrimat e plumbave.
Sipas autoriteteve të kësaj agjencie që merret me përgjime elektronike për të luftuar kërcënimet e mundshme terroriste, situata në vendngjarje ishte nën kontroll.
Trafiku u bllokua në një rrugë që të çon tek Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Autoritetet njoftuan Presidentin Donald Trump mbi incidentin.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej "se me mendje e me lutje jemi pranë të gjithë atyre që janë prekur nga ky incident".