Partia qeverisëse e Afrikës së Jugut po i kërkon anëtarit më të rëndësishëm të saj, Presidentit Jacob Zuma, të japë dorëheqjen nga detyra. Por Zuma ende nuk është pajtuar me këtë kërkesë dhe nuk po jep asnjë shenjë se do ta bëjë këtë.
Situata mori një kthesë të re të martën, kur Sekretari i Përgjithshëm i Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC), Ace Magashule tha se komiteti ekzekutiv i partisë ka vendosur zyrtarisht të "tërheqë" Zuma-n nga posti i presidentit.
Zuma është tashmë presidenti i dytë të cilit ANC i kërkohen të tërhiqet, pas thirrjes së ngjashme që çoi në dorëheqjen e menjëhershme të Thabo Mbeki në vitin 2008.
Ace Magashule tha se bisedimet janë në vazhdim, por partia pret që presidenti të respektojë kërkesën e komitetit ekzekutiv dhe të largohet.
"A ka akoma vend për negociata? Po, ne jemi një parti politike e cila dëshiron të zgjidhë çështjet politikisht. Por mendoj se vendimi i komitetit ekzekutiv kombëtar është përfundimtar, ky vendim nuk mund të ndryshojë", tha ai në një konferencë shtypi.
Megjithatë, Zuma nuk ka asnjë detyrim ligjor të japë dorëheqjen dhe ka rezistuar më shumë se një javë ndaj presionit të madh të partisë.
Nëse refuzon të japë dorëheqjen, çështja do të shkojë në parlament, që mund ta largojë atë me një votë mosbesimi. Nëse kjo ndodh, Presidenti i ANC-së (Kongresi Kombëtar Afrikan), Cyril Ramaphosa ka gjasa të bëhet president i Afrikës së Jugut.
Që kur mori detyrën në vitin 2009 presidenti Zuma është akuzuar në mënyrë të vazhduar për korrupsion. Kritikët thonë se ai ka përdorur rreth 20 milionë dollarë fonde publike në funksion të pronave të tij private dhe ka lejuar një familje të fuqishme indiane të zgjedhë ministrat e shtetit.
Akuzat që vijnë në një kohë të trazuar për ekonominë e vendit, e kanë bërë Zumën gjerësisht jo-popullor dhe e kanë dobësuar kontrollin e dikurshëm të ANC mbi politikën kombëtare.