Ligji i ri në Poloni që ndalon çdo aludim se vendi mund të ketë patur rol në Holokaust ka shkaktuar indinjatë në Izrael dhe shumë vende të tjera, si edhe shumë njerëz në Poloni.
Senatorët polakë e miratuan projekt-ligjin të enjten, një ditë pasi bota shënoi ditën e Kujtesës së Holokaustit, në përvjetorin e çlirimit të kampit famëkeq nazist të Aushvicit.Kundërshtarët po i bëjnë thirrje qeverisë polake ta tërheqë projekt-ligjin.
Ligji parashikon dënime me burg për ata që u referohen kampeve naziste të Luftës së Dytë Botërore në Poloni si “kampe polake të vdekjes”. Partia në pushtet për Ligjin dhe Drejtësinë pretendon se t’i quash Aushvicin dhe Treblinkën “polake” krijon përshtypjen se polakët ishin pjesërisht përgjegjës për vrasjen e miliona vetëve, kryesisht hebrenj, në kampet e Gjermanisë naziste. Izraeli e ka dënuar këtë hap.
"Unë e shoh si përpjekje për të mohuar përgjegjësinë e tyre për gjithçka që u ndodhi hebrenjve gjatë Holokaustit në Poloni. I kam kërkuar kryeministrit që të urdhërojë menjëherë kthimin e ambasadorit izraelit në Poloni për konsultime”, tha Ministri izraelit i transportit, Yisrael Katz.
Ligji kërkon miratimin e Presidentit Andrzej Duda, i cili e mbështet atë. Ligjvënësit e opozitës i kanë kërkuar presidentit t’i vërë veton masës që është kritikuar gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
"Ne e marrim si të mirëqenë që presidenti Andrzej Duda do t’i vërë veton projektligjit. Unë bëj thirrje për një gjë të tillë në emër të Platformës Civile dhe opinionit publik demokratik në Poloni. Presidenti duhet ta bëjë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai nuk duhet të bëhet pre i kësaj çmendurie të Partisë për Ligj dhe Drejtësi”, tha Tomasz Siemoniak, deputet i Platformës Civile.
Para pushtimit nazist në vitin 1939, Polonia kishte komunitetin më të madh hebraik në Evropë, mbi 3 milionë vetë. Shumica e tyre, si edhe viktima të tjera, vdiqën në kampe si Aushvici. Shumë polakëve sot nuk u vjen mirë nga gjetjet se Polonia kishte rol në përndjekjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Udhëheqësit politikë e mohojnë që projekt-ligji i ri synon të frenojë diskutimin e Holokaustit.
"Jo vetëm që ne e lejojmë debatin për këtë temë, por edhe e inkurajojmë atë. Ne i shohim akuzat kundër nesh, krejtësisht të pabaza”, thotë Bartosz Cichicki, i Komisionit për Dialog me Izraelin.
Por Polonia është kritikuar ashpër për tubime të fundit nacionaliste që shumë i shohin si pjesë e rritjes së ndjenjave në rritje antisemitike në Evropë.
"Antisemitizmi është një virus 2 mijëvjeçar dhe mesa duket i pashërueshëm. Gjithmonë gjendet një justifikim: feja, raca”, tha në parlamentin gjerman dje Anita Lasker-Wallfisch, një 92 vjeçare që i mbijetoi Holokaustit. Ajo foli një ditë pasi një djalë 8 vjeçar hebre u rrah në një rrethinë të Parisit.
"Çfarë skandali që shkollat hebraike, madje edhe kopshtet duhet të mbrohen nga policia! Nuk mund të mos pyesësh veten: ‘Përse?' "
Politikanët polakë i hedhin poshtë akuzat se ligji për Holokaustin synon të rishkruajë historinë dhe thonë se janë të vendosur ta sqarojnë këtë çështje me Izraelin.