Në qytetin - port Calais të Francës, pas përleshjeve që pati mes emigratëve që duan të shkojnë në Britani, u dërguan sot përforcime të reja policore, veç rreth 1 mijë e 100 policëve që ndodheshin atje për të mos i lejuar emigrantët të ngrinin kampe të reja.
Nga përleshjet mbetën të plagosur 22 persona. Ministri i Brendshëm Gerard Collomb tha në një konferencë shtypi se 5 persona ishin plagosur me armë zjarri në përleshjet e ditës së djeshme.
Ai akuzoi trafikantët e emigrantëve dhe bandat e organizuara për trazirat në mesin e emigrantëve, duke shtuar se po kërkohet për një person që mund të ketë qëlluar me armë.
Ministri francez tha se ndërsa rastet e dhunës mes imigrantëve janë spontane, ato duket se po bëhen më të organizuara. Prefektura e rajonit Pas-de-Calais tha se përleshja me armë zjarri ishte pika kulminante e konfrontimit të dhjetra emigrantëve nga Afganistani dhe Eritrea.