Historitë e Holokaustit, kujtesë për brezat

  • Pëllumb Sulo

Me rastin e 27 janarit, ditës së Holokaustit, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër u promovua libri “Jeta ime nën pushtimin nazist”, kushtuar gruas hebreje Mimi Kamhi Ergas Faraxhi. Libri i autorit Skënder Asani, është përkthyer në shqip, maqedonisht dhe anglisht, dhe flet për kujtimet e një familje hebre, e cila në kohën e luftës është ndihmuar dhe strehuar nga një familje shkodrane.

Në promovimin e librit mori pjesë edhe vajza e Mimi Kamhi Ergas Faraxhi, e pagëzuar me emrin Drita si dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Ministri Bushati u shpreh gjatë promovimit se, nëpërmjet përkujtimit të Holokaustit nuk tregojmë thjesht respekt për viktimat apo të mbijetuarit, por orientojmë edhe brezin e ri drejt sfidave të së ardhmes.

Për ministrin Bushati është shumë e rëndësishme të vijohet me nismën e përmirësimit të teksteve shkollore, në mënyrë që histori të tilla, si ajo e familjes izraelite Faraxhi, të tregohen më shumë, duke krijuar një kujtesë solide, të kthyer në program edukimi për brezat e rinj.

Ndërsa ambasadori i Izraelit në Tiranë Boaz Rodkin u shpreh se “duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet tona për të luftuar intolerancën, kudo dhe sidoqë ajo shfaqet”.

Gjatë luftës së dytë botërore në Shqipëri u strehuan me qindra familje hebreje. Ato gjetën strehë në familjet e shqiptarëve, të cilët i fshehën dhe mbrojtën nga persekutimi dhe vrasjet nga ana e ushtrisë gjermane.

Më 27 Janar 1945 u çlirua kampi i përqendrimit të Auschwiz-it duke i dhënë fund një akti tragjik dhe të shëmtuar në historinë botërore: Holokaustit, gjatë të cilit u shfarosën në mënyrë sistematike 6 milionë hebrenj.