Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis, tha se ofensiva turke kundër grupeve paraushtarake kurde YPG në Siri, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, mund të dëmtojë luftën kundër ISIS-it. Këto komente ai i bëri për gazetarëve që e shoqërojnë në udhëtimin një javor me ndalesa në Indonezi dhe Vjetnam në kuadër të thellimit të lidhjeve me vendet e Azisë Juglindore si kundërpeshë ndaj ndikimit të Kinës në këtë rajon.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha në bisedimet me homologun e tij se ushtria amerikane është e gatshme të bashkëpunojë me forcat speciale indoneziane, Kopassus. Ky grup elitë, më parë i akuzuar për tortura dhe abuzime të tjera, është reformuar, tha zoti Mattis dhe mund të jetë i vlefshëm në luftën kundër terrorizmit.
“Ne synojmë ta zgjerojmë aktivitetin në mënyra që i përgjigjen çdo kërkese të Indonezisë për anti-terrorizmin, me përfshirjen e forcave të saj anti-terroriste pasi duke mbrojtur njerëzit e pafajshëm që Indonezia po e kryen mirë gjatë 10 vjetëve të fundit, ne mund të mësojmë shumë prej tyre. Ne duhet të punojmë së bashku për t’iu përgjigjur këtij problemi madhor”.
Vizita e zotit Mattis në Xhakartë zhvillohet ndërkohë që Indonezia po punon për të modernizuar ushtrinë dhe është e interesuar t’u rezistojë pretendimeve terroriale të Kinës.
“Indonezia, e cila ndodhet në zemër të pellgut indo-paqësor, ka rëndësi kritike. Në këto kohë kur jemi përqëndruar në ruajtjen e hapësirave detare dhe korridoreve ujore në Detin e Kinës së Jugut dhe në Detin Natuna Veriore, e mirëpresim bashkëpunimin”.
Zhvillimet në Turqi ishin një prioritet tjetër që veçoi zoti Mattis. Ai u tha gazetarëve që e shoqëronin në udhëtim se ofensiva turke kundër grupeve paraushtarake kurde YPG në Siri, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, mund të dëmtojë luftën kundër ISIS-it.
Një ditë më parë, edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders kishte bërë thirrje për maturi:
“Intensifikimi i dhunës në Afrin trazon një rajon relativisht të qëndrueshëm të Sirisë. Dhuna largon vëmendjen nga përpjekjet ndërkombëtare për të garantuar mposhtjen e ISIS-it, mund të shfrytëzohet nga Shteti Islamik dhe al-Qaida për furnizim dhe për të gjetur strehë të sigurta, po ashtu rëndon krizën humanitare”.
Ofensiva turke në Sirinë veriore i vë Shtetet e Bashkuara në pozitë të vështirë, pasi grupi YPG dhe Turqia kanë qenë të dyja aleate në përpjekjet antiterroriste.
“Pa dyshim është një tjetër pengesë në marrëdhënie dypalëshe mes dy aleatëve të rëndësishëm në NATO. Por kjo është pritur prej kohësh, që pas vendimit të administratës së mëparshme amerikane, pasuar nga administrata aktuale për të bashkëpunuar me një grup që Turqia instiktivisht e konsideron si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare,” thotë Wael Alzayat i Universitetit “Georgetown”.
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson në takime me diplomatë të lartë në Francë ngriti shqetësimin lidhur me operacionet turke në Sirinë veriore.