Dy Koretë janë angazhuar për vizita ndërkufitare përpara Lojrave Olimpike Dimërore që zhvillohen në jug.
Një delegacion i Koresë së Jugut shkoi sot në Korenë e Veriut për një vizitë tre-ditore, ku do të shikojë vendet e mundshme për organizimin e ngjarjeve të përbashkëta sportive që lidhen me lojrat olimpike dimërore. Kjo është vizita e parë e këtij lloji në dy vjet.
Një ditë më parë, një delegacion i Koresë së Veriut, që drejtohej nga grup i njohur muzikor për vajza Moranbong, u largua nga Seuli pas një vizite dy-ditore për të inspektuar objektet për shfaqje artistike gjatë zhvillimit të Lojërave Olimpike.
Sipas marrëveshjes së arritur mes Seulit dhe Phenianit, të dy vendet do të marshojnë së bashku nën një flamur gjatë ceremonive të hapjes në 9 shkurt dhe do të përfaqësohen me një ekip të të përbashkët hokeji për femra.
Përveç shfaqjeve të trupave artistike të Koresë së Veriut gjatë lojërave, të dyja palët do të zhvillojnë aktivitetete të përbashkëta kulturore në vendpushimin e Koresë së Veriut në malin Kumgang ndërsa skiatorët do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët në veri.
Një tjetër delegacion i Koresë së Veriut do të vizitojë Seulin të enjten për të inspektuar vendet ku do të mbahen Lojrat Olimpike dhe ku do të qëndrojnë përfaqësuesit e saj.
Shkëmbimet e fundit kanë thyer një ngrirje të gjatë në marrëdhëniet ndër-koreane, të përshkallëzuar nga programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare.
Por dje, një grup koreanësh-jugorë të krahut të djathtë organizoi një protestë në Seul, duke djegur një fotografi të Kim Jong Un-it dhe një flamur të Koresë së Veriut. Pheniani lëshoi një deklaratë ku denonconte protestuesit si "tradhtarë dhe psikopatë" që "diskreditonin dinjitetin e udhëheqjes së lartë".
Një zëdhënës i Presidentit Moon u bëri thirrje sot koreano-jugorëve të mirëpresin të gjitha vendet që do të marrin pjesë në Lojrat Olimpike.