Zyrtarë amerikanë të zbulimit vlerësuan ligjvënësit që votuan për riautorizimin e një programi të debatueshëm të survejimit, i cili është kritikuar nga mbrojtësit e të drejtës së privacisë, me argumentin se ai shkel të drejtat e qytetarëve.
Senati votoi të enjten për riutorizimin e ligjit të survejimit edhe për 6 vite të tjera. Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve votuan në favor javën e kaluar. Presidenti Donald Trump pritet ta nënshkruajë sot ligjin, që ai të hyjë në fuqi.
Neni 702, siç njihet programi i survejimit, i lejon agjencitë amerikane të zbulimit të përgjojnë komunikimet elektronike dhe dixhitale jashtë vendit, përfshirë ato përmes kompanive Facebook, Google dhe Verizon, me qëllim që të mbledhin informacione për objektiva të huaja.
Zyrtarët amerikanë të zbulimit prej kohësh e kanë cilësuar jetik programin, duke thënë se ai ka sjellë informacione me rëndësi kritike që i kanë ndihmuar Shtetet e Bashkuara për shmangien e sulmeve terroriste.