Çelen aktivitetet për vitin e Skënderbeut

Në Shqipëri u çelën në mbrëmje aktivitetet me rastin e vitit të Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, ndërsa dita e nesërme përkon me 550 vjetorin e vdekjes së tij. Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, është krijuar një hapësirë e posaçme ku janë ekspozuar, piktura, libra apo vepra të tjera që i janë kushtuar figurës së Skënderbeut.

Në një ceremoni të organizuar në prani të autoriteteve më të larta të vendit u lexua dhe një mesazh dërguar posaçërisht nga Papa Françesku më rastin e “përkujtimit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, të cilin Papa Shën Gjoni Pali i II e cilësonte si figurë të shquar dhe të besimit të krishterë, i vlerësuar prej Papëve të Romës”. Ati i Shenjtë ju referua dhe vizitës së tij në 2014 “në tokën fisnike të Shqipërisë, tokë heronjsh që dhanë jetën e tyre për pavarësinë e vendit, tokë martirësh që dhanë dëshminë e besimit në kohë të vështira persekutimi”. Në mesazhin e tij, Papa Françesku vuri dhe një herë në dukje “klimën e bashkëjetesës paqësore dhe respektit reciprok mes besimtarëve të traditave fetare e kulturore të ndryshme në Shqipëri”, duke u lutur që “të gjithë shqiptarët të vijojnë nën nxitjen e vlerave të solidaritetit, të dialogut dhe të paqes”.

Kryeministri Edi Rama tha se pas fjalëve të Atit të Shenjtë “nuk mund të mos ndjejmë një krenari të përligjur për të gjithë ata që, siç thuhet, shkruhet, përçohet në mesazhin e tij, luftuan për pavarësimin e këtij vendi dhe po ashtu vuajtën sakrifica të panumërta për lirinë. Krenari për faktin gjithashtu që një autoritetit i tillë moral i përbotshëm na sheh dhe na përkufizon, si një shembull hapjeje dhe mirëkuptimi, pikërisht në këtë moment kur ne të gjithë së bashku, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe të Presidentit të Republikës së Kosovës përkujtojmë një figurë kaq kyçe, më të rëndësishmen e historisë tonë kombëtare”.

Sipas kryeministrit “me Gjergj Kastriotin, shqiptarët, kudo që ndodhen, kanë një histori të vërtetë dashurie, prej së cilës asnjë bëmë dhe asnjë gjëmë nuk mund t’i ndajë. Histori objektive gjithmonë në zbulim dhe hartim, jeta dhe vepra e Skënderbeut është, në sensin më fisnik të fjalës, një histori suksesi dhe një vizion ardhmërie”.