Ish sherifi i Arizonës njofton kandidimin për Senatin amerikan

Ish-sherifi i Arizonës Joe Arpaio një figurë kontraverse që u fal nga Presidenti amerikan Donal Trump vitin e kaluar, njoftoi të martën se do të konkurojë për Senatin amerikan.

"Do të konkuroj për Senatin e Shteteve të Bashkuara si senator i shtetit të madh të Arizonës, për një arsye të fortë, për të mbështetur axhendën dhe politikat e Presidentit Donald Trump në misionin e tij për ta bërë “Amerikën të madhe përsëri”", shkruan zoti Arpaio në Twitter, duke iu referuar parrullës së presidentit Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale.

Vendimi këtë vit i senatorit republikan të Arizonës Jeff Flake për të mos garuar për rizgjedhje krijoi kushtet e një gare paraprake mes zotit Arpaio dhe dy pretendentëve të tjerë.

85-vjeçari Arpaio, një përkrahës i hershëm i zotit Trump, ishte dënuar për shpërfillje penale pasi kishte kundërshtuar urdhrin e një gjyqtari për të ndaluar profilizimin racor të latinëve.

Në gusht, zoti Trump dha mëshirën e parë të presidencës së tij, duke e falur sherifin.

Në mbrojtje të zotit Arpaio, në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë përmendej mosha dhe "puna e tij në mbrojtje të publikut nga krimi dhe emigracioni i paligjshëm".