Senatori republikan Jeff Flake i Arizonës, anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë gjetur prova se diplomatët amerikanë në Havana ishin viktima të sulmit me një armë të panjohur.
Senatori Flake, një mbështetës i uljes së tensioneve me Kubën, bisedoi me agjencinë e lajmeve Associated Press të shtunën, një ditë pasi ishte takuar në Havana me zyrtarë të lartë të Kubës, përfshirë Ministrin e Jashtëm, Bruno Rodriguez.
"Ministria e Brendshme e Kubës po thotë se i ka treguar FBI-së se nuk ka dëshmi të një sulmi zanor. Edhe pse ky term është duke u përdorur, nuk ka dëshmi për një sulm të këtij lloji. Diçka ka ndodhur, nuk e dimë se çfarë ishte, por nuk ka prova se qeveria kubane sulmoi diplomatët këtu".
Autoritetet kubane i kanë thënë senatorit Flake se FBI i kishte bërë të ditur se pas katër udhëtimeve në Kubë, agjentët e saj nuk kanë gjetur dëshmi se sëmundjet misterioze që pësuan diplomatët amerikanë ishin rezultat i sulmeve.
Senatori Flake tha se informacionet sekrete nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara e kanë lënë atë pa arsye të dyshojë shpjegimin e autoriteteve të Kubës për incidentin, edhe pse ai nuk pranoi të diskutonte përmbajtjen e këtyre informatacioneve.
Uashingtoni ka thënë se 24 zyrtarë të qeverisë amerikane dhe bashkëshortët e tyre u sëmurën në Havanë në shtëpitë e tyre dhe në disa hotele duke filluar nga viti 2016.
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka thënë se ai është "i bindur se këto ishin sulme në qëllimshme", por Shtetet e Bashkuara nuk e dinë se kush është prapa tyre.
Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr shumicën e diplomatëve të tyre nga Havana, duke cituar një rrezik shëndetësor ndërsa detyruan shumë diplomatë kubanë të largohen nga Uashingtoni.