Ndërsa vëmendja e shumicës së botës ishte e zënë me ngjarje të tjera, shkencëtarët e hapësirës shënuan disa arritje të dukshme gjatë vitit 2017, duke filluar nga projektet e reja deri tek fundi spektakolar i së paku një programi hapësinor. George Putic i Zërit të Amerikës i hedh një vështrim ngjarjeve kryesore të vitit në fushën e hapësirës.
Le të fillojmë me fundin e lavdishëm të një misioni shumë të suksesshëm.
Sonda hapësinore Cassini-Huygens u dërgua në atmosferën e Saturnit për t’u djegur në mënyrë që të mos ndotë hënat e tij me mikrobe nga Toka, të cilat në mënyrë të pashmangshme kanë udhëtuar bashkë me anijen.
Për 20 vjet me radhë, sonda eksploroi Jupiterin dhe Saturnin, dërgoi një mini-sondë në Titan, hëna më e madhe e Saturnit, dhe zbuloi ujë në një hënë tjetër të Saturnit, Enceladus.
Ajo që shkencëtarët thanë në vitin 2004 vlen për të gjitha zbulimet e sondës Cassini.
"Nuk mendoj se duhet të jesh shkencëtar i unazave të Saturnit për ta kuptuar rëndësinë e asaj që ndodhi natën e kaluar për ne. Ishte një moment i papërshkrueshëm", tha Carolyn Porco drejtuese e ekipit të Nasa-s për imazhet e Cassinit.
Një tjetër mision i rëndësishëm në vitin 2017 ishte dërgimi në hapësirë i satelitit Sentinel 5 nga Agjencia Evropiane e Hapësirës. Ai do të monitorojë ndotjen e ajrit të shkaktuar nga njeriu dhe natyra, duke njoftuar njerëzit rreth përqendrimit të ndotësve që mund të ndikojnë në shëndetin e tyre.
"Misioni do të përpiqet të kuptojë burimet e gjurmëve të këtyre gazeve, ndotësve, prej nga vijnë ato, dhe si lidhen me aktivitetet njerëzore dhe natyrore", thotë Ralph Cordey nga kompania Airbus and Space.
Në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, astronautët e NASA-s realizuan ecjen e tyre të 200-të në hapësirë dhe astronautja Peggy Whitston vendosi një rekord të ri amerikan për kohën e kaluar në hapësirë.
Në Tokë, shkencëtarët ishin të zënë me përgatitjen e misioneve të reja të rëndësishme për vitin 2018.
Mes tyre edhe teleskopi me rreze infra të kuqe James Webb, i cili do të jetë në gjendje të shikojë planetet e sapo zbuluara që i ngjajnë tokës për nga madhësia rreth yjeve të largëta.
"Ne do të përdorim teleskopin Jame Webb për të studiuar atmosferat e atyre planeteve për të parë se çfarë përbërësish kimikë kanë ato atmosfera. Pra, do të përpiqemi ta kuptojmë nëse ka ujë apo ozon atje", thotë Eric Smith nga programi James Webb Space Telescope.
Është gjë e mirë që teleskopi i ri do të pozicionohet 1.5 milionë kilometra nga Toka, sepse, siç paralajmëruan shkencëtarët gjermanë këtë vit, hapësira rreth planetit tonë po bëhet gjithnjë e më e ndotur nga mbetjet hapësinore.
"Energjia që përmban një grimcë një centimetër e gjatë, duke goditur një satelit në shpejtësi, përafërsisht korrespondon me atë të shpërthimit të një granate", thotë Holger Krag nga Agjencia Evropiane e Hapësirës.
Shkencëtarët kanë hedhur një numër idesh për zvogëlimin e sasisë së mbeturinave hapësinore, por, deri më tani, asnjëra prej tyre nuk është përzgjedhur.