Çertifikohet rezultati i zgjedhjeve në Alabama

Fitorja historike e demokratit Doug Jones ndaj republikanit Roy Moore u shpall zyrtarisht të enjten. Zyrtarët e zgjedhjeve të Alabamës e çertifikuan atë si fitues të zgjedhjeve speciale për Senatin, pavarësisht nga pretendimet për parregullsi me votat të kundërshtarit të tij.

Në zgjedhjet e 12 dhjetorit zoti Jones mposhti zotin Moore me rreth 22.000 vota më shumë, në një fitore të papritur në shtetin e njohur si bastion i fortë i republikanëve. Ishte fitorja e parë e Demokratëve në Alabama në zgjedhjet për Senatin, pas një çerek shekulli. Gjatë fushatës ndaj Roy Moore u ngritën shumë akuzat për ngacmime seksuale ndaj vajzave adoleshente, në incidente që kishin ndodhur disa dekada më parë.

Roy Moore refuzoi të pranonte rezultatin dhe paraqiti një ankimim disa orë përpara çertifikimit, por një gjyqtar i hodhi poshtë pretendimet e tij. Zyrtarët e zgjedhjeve në Alabama thanë gjithashtu se nuk gjetën asnjë dëshmi për parregullsi në procesin e votimit.

Një zëdhënës i zotit Jones e quajti padinë e zotit Moore një "përpjekje të dëshpëruar ... të minuar vullnetin e popullit"

Daugh Jones pritet të betohet më 3 janar, duke ngushtuar avantazhin e vendeve që kanë republikanët në Senatin amerikan në 51 me 49. Zoti Jones do të marrë vendin e mbajtur më parë nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, në një mandat që mbaron në janarin e vitit 2021.