Incidenti në Melburn, nuk ka lidhje me terrorizmin

Melbourne, Australia car accident

Autoritetet në Melburn të Australisë bënë të ditur se personi i arrestuar për plagosjen e 19 këmbësorëve me makinën e tij, nuk ka lidhje të njohura me terrorizmin.

Incidenti ndodhi sot në një nga rrugët kryesore të Melburnit ndërsa njerëzit po bënin blerje me rastin e Krishtlindjeve. Një dëshmitar tha për një stacion radiofonik se kishte parë "njerëzit tek fluturonin në ajër" ndërsa makina godiste turmën.

I dyshuari u arrestua në vendngjarje nga një polic jo në detyrë.

Autoritetet policore thanë se i dyshuari është një shtetas australian 32 vjeçar me prejardhje afgane. Personi i arrestuar ka një histori të njohur të përdorimit të drogës dhe probleme të shëndetit mendor.

Sipas autoriteteve, në vendngjarje u arrestua edhe një tjetër person, 24 vjeç, i cili po filmonte ngjarjen me celular. Ky i fundit mbante një çantë me thika.

Incidenti i sotëm është i dyti i këtij lloji që ndodh gjatë këtij viti në Melburn.

6 persona u vranë në janar kur një makinë goditi një grup këmbësorësh.