Në qytetin e Pogradecit në Shqipëri, sot u zhvillua mbledhja e parë e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase, në qendër të së cilës ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në sektorë të ndryshëm. Të dy kryeministrat, ai shqiptar Edi Rama dhe ai maqedonas Zoran Zaev, e konsideruan takimin e sotëm si “një moment kyç dhe historik që hap një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Qeveritë e Tiranës dhe të Shkupit, u angazhuan për të ngritur një mekanizëm të qëndrueshëm dhe afatgjatë i cili do të bënte që këto marrëdhënie të ngriheshin në një nivel të ri, dhe për t’i dhënë një tjetër impuls zhvillimeve në sektorë të rëndësishëm si ai i ndërlidhjes përmes ndërhyrjeve në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe energjitike. Palët u angazhuan gjithashtu që të lehtësojnë shkëmbimet dhe lëvizjen e lirë të mallrave, kapitaleve dhe njerëzve.
Duke vlerësuar me tone optimiste udhëheqjen e kryeministrit Zaev, kreu i qeverisë shqiptare vuri theksin në nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit, për të cilën theksoi ai “ka një interes të madh reciprok dhe është një gur themeli për forcimin e demokracisë, pasi i jep fund historive së konflikteve të së shkuarës”. Zoti Rama vlerësoi dhe angazhimin e zotit Zaev lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, që sipas tij “përbën një forcim të mëtejshëm të themeleve të një Maqedonie moderne”.
Nga ana e tij kryeministri Zaev u shpreh se qeveria e tij është “e angazhuar për të ngritur një sistem shtetëror që i shërben të gjithë qytetarëve dhe i mbron ata pa dallim”. Në përfundim të mbledhjes të dy kryeministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët, ndërsa u firmosën dhe disa marrëveshje bashkëpunimi.