Macron, takim në Paris për klimën

Presidenti francez Emmanuel Macron u takua sot me filantropë të mëdhej nga mbarë bota për të inkurajuar më shumë investime për klimën. Një program i tij ka akorduar miliona dollarë grante, projekt ky që shikohet si kundërpeshë ndaj refuzimit të marrëveshjes së Parisit nga Presidenti Donald Trump.

Zoti Macron tha se marrëveshja e Parisit për klimën vetëm sa është forcuar më tej nga refuzimi i Presidentit Donald Trump.

“Vendimi i Presidentit Trump për ta lënë marrëveshjen e Parisit, ishte fillimi i një historie të re. Mendoj se krijoi një moment të ri. Pas vendimit të tij, ne përshpejtuam ratifikimin, gjithnjë e më shumë vende na u bashkuan dhe e ratifikuan marrëveshjen e Parisit. Ishte një lloj habie për shumë njerëz që menduan se do të rrezikohej marrëveshja”, tha Presidenti francez, Macron.

Zoti Macron ka akorduar miliona dollarë grante për të sjellë në Francë shkencëtarë të klimës nga Amerika dhe vende të tjera, një program ky për të balancuar refuzimin e marrëveshjes nga zoti Trump.

Ish-Sekretari i Shtetit, John Kerry, i cili po merr pjesë në samit, thotë se refuzimi nga Presidenti Trump i marrëveshjes, nuk pasqyron shumicën e vendit.

“Kemi 38 shtete që kanë ligje për këtë gjë. Kemi 90 qytetet kryesore të Amerikës, kryebashkiakët e të cilëve janë angazhuar në përmbushjen e standarteve të Parisit. Pra, 80% e popullsisë së Amerikës është në këto 38 shtete, të cilat do ta mbajnë fjalën e tyre”, thotë ish-Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Ky takim zhvillohet dy vjet pasi 195 vende miratuan Marrëveshjen e Parisit, për të shmangur skenarët më të këqinj të ngrohjes globale.