Gripi sezonal mund të jetë më vdekjeprurës se lufta

  • Carol Pearson

Viti që vjen shënon 100 vjetorin e epidemisë së gripit më vdekjeprurës në histori. Gripi pandemik i vitit 1918 shkaktoi më shumë viktima se sa Lufta e Parë Botërore. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, ndonëse shkencëtarët kanë bërë përparime në kontrollin e një sërë sëmundjesh, gripi ende nuk është një prej tyre.

Çdo vit shkencëtarët prodhojnë një vaksinë për gripin, që është parashikimi i tyre më i mirë lidhur me viruset që mendojnë se mund të jenë në atmosferë një vit më pas. Por ka edhe raste kur ata gabojnë.

Dr. Anthony Fauci, ekspert për sëmundjet ngjitëse në Insitutin Kombëtar të Shëndetit, thotë se edhe pse vaksina parandalon shtrimin në spital dhe vdekjet, ende nuk është e përkryer.

“Madje edhe gjatë një viti të mirë efikasiteti i përgjithshëm i një vaksine gripi është rreth 60 përqind. Edhe pse gjithmonë është më mirë të vaksinohesh kundër gripit se sa jo, ne kemi nevojë për një vaksinë më të mirë.”

Disa vite më parë, efekti i vaksinës ishte në nivele dëshpëruese prej 10 përqindësh. Vaksina të tjera, si ato për fruthin dhe ethet e verdha, kanë efekt të plotë. Po ashtu 90 përqind e të vaksinuarve për poliomelit mbrohen nga sëmundja.

Edhe prodhuesit e vaksinave të gripit nuk janë të kënaqur. Dr. David Vaughn është me firmën “GSK Vaccines” .

“Sëmundja që po përpiqemi të parandalojmë është shumë e përhapur. Deri 20 përqin e popullatës do të preket nga gripi gjatë këtij viti.”

Në rastet e rënda nga gripi si penumenia, tani ka trajtime më të mira. Mjekët janë të shqetësuar se popullatat janë të pambrojtura për epidemi gripi si ajo e vitit 1918 që shkaktoi 50 milion viktima në mbarë botën. Por shtrohet pyetja, se pavarësisht përparimeve të shumta mjekësore gjatë 100 viteve të fundit, a është e mundur përsëritja e një epidemie të tillë? Ja si shprehet Dr.Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të Shëndetit.

“Sigurisht. Kemi patur epideminë e gripit të derrit H1 N1 në vitin 2009 që nuk shkaktoi shumë vdekje. Ishte një epidemi e një virusi relativisht të ri, infeksioni i të cilit ishte përhapur në të gjithë botën.”

Një pjesë e virusit të gripit nuk ka ndryshime të shumta nga një vit tek tjetri, prandaj hulumtuesit ndjejnë nevojën urgjente për të krijuar një vaksinë universale që ka në shënjerstër atë pjesë të virusit.

“Shumica e viktimave janë në vende në zhvillim ku vaksinimi është shumë i paktë”, thotë. Dr. David Vaughn me firmën “GSK Vaccines”.

Deri në prodhimin e një vaksine unversale për gripin, më shumë jetë mund të shpëtohen nëse njerëzit vazhdojnë të vaksinohet edhe pse vaksina aktuale nuk është e përkryer. Vaksinimi, jo vetëm që parandalon përhapjen e virusit, por ul rrezikun e epidemisë vdekjeprurëse si ajo e vitit 1918.