Zyrtarët amerikanë e cilësuan vrasjen e 26 vetëve në një kishë të Teksasit nga një njeri i armatosur, si ngjarjen më të rëndë të këtij lloji në historinë e shtetit.
Personi i armatosur, i identifikuar si 26 vjeçari Devin Kelley hapi zjarr të dielën paradite gjatë një ceremonie kishtare në komunitetin e vogël Sutherland Springs.
Zyrtarët në Teksas thanë se Kelley i dërgoi mesazhe kërcënuese me tekst vjehrrës së tij, e cila ndodhej në kishë, dhe se ngjarja erdhi si pasojë e problemeve familjare dhe nuk kishte motive racore apo fetare.
Autoritetet thonë gjithashtu se provat në vendngjarje i bëjnë të besojnë se Devin Patrick Kelley vdiq nga një plagë me armë zjarri të shkaktuar prej vetë atij pasi përplasi makinën kur po ndiqej nga disa civilë të armatosur.
Ata thanë se Kelley i telefonoi të atit për t'i thënë se ishte qëlluar me armë dhe nuk mendonte se do të mbijetonte.
Viktimat ishin të moshave nga 18 muaj deri në 77 vjeç. Sipas autoriteteve, Kelley kishte punuar më parë në një bazë ajrore dhe në makinën e tij u gjetën armë të shumta, por nuk duket të kishte lidhje me ndonjë grup të organizuar terrorist.
Dhejtë persona ndodhen në spital në gjendje të rëndë. Ata janë të moshave nga 5 deri në 73 vjeç.
TRAGJEDIA NË SUTHELAND SPRINGS
Mes lotëve dhe lutjeve, familjarët e viktimave u mblodhën për të mësuar mbi fatin e njerëzve të tyre.
"Nuk ka fjalë për ta përshkruar. Sepse këto gjëra ndodhin në Nju Jork, në qytetet e mëdha,” thotë një grua.
Një ceremoni e zakonshme kishtare në këtë qytet të vogël të Teksasit u shndërrua papritur në një tragjedi.
Zyrtarët thanë se një person i armatosur me pushkë hapi zjarr jashtë kishës Baptiste në Sutherland Springs dhe vazhdoi të qëllonte ndërsa hynte brenda saj.
Guvernator i Teksasit Greg Abbott u shpreh : "Është ngjarja më e rëndë e këtij lloji në historinë e shtetit tonë, - thotëGreg Abbott, Guvernator i Teksasit. “Janë kaq shumë familje që kanë humbur njerëzit e tyre, baballarë, nëna, bij dhe bija. Tragjedinë e rëndon më shumë fakti që ajo ndodh në një kishë, në një vend lutjesh".
Njeriu i armatosur u gjet më vonë i vrarë në automjetin e tij pas një konfrontimi me një civil.
Presidenti Donald Trump, i cili ndodhej në Japoni, ndalesa e parë në udhëtimin e tij në pesë vende të Azisë, shprehu ngushëllime.
"Ne bashkojmë duart, bashkojmë krahët dhe, përmes lotëve dhe trishtimit, qëndrojmë të fortë, shumë të fortë!” tha zoti Trump.
Në Teksas, pjestarët e komunitetit thonë se nuk heqin dorë nga besimi ndërsa luftojnë me humbjen e rëndë.
"Është diçka mjaft e rëndë për ne dhe për komunitetin tonë, por Zoti ende është në kontroll," thotë pastori Paul Buford.