Në Shqipëri Gjykata e Elbasanit ka lënë sot në arrest me burg biznesmenin Orest Sota, i cili dy ditë më parë u prangos nga policia pasi nuk ndaloi në një postobllok kontrolli të ngritur prej saj.
Sota u kap më pas, dhe rezultoi të ishte pa leje drejtimi të mjetit, brenda së cilit ju gjetën mbi 800 mijë euro.
Por çfarë i dha ngjarjes përmasa më të mëdha ishte fakti se në automjet u gjetën dhe dy patenta lundrimi të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, si dhe patenta e drejtimit të mjetit të bashkëshortes së tij.
Drejtuesi I policisë së Elbasanit, Altin Qato, deklaroi pwr mediat tw shtunwn nw mbrwmje se i arrestuari Orest Sota, ishte biznesmen dhe pretendoi se 800 mijë eurot do t’I dërgonte te firma Kurum për likujdim faturash, por nga kontrolli rutinë i policisë së Elbasanit doli se ai nuk kishte asnjë dokument shoqërimi për paratë dhe as leje drejtimi për automjetin.
Zoti Qato deklaroi se hetimet do të zbardhin të vërtetën, origjinën dhe destinacionin e parave dhe me këtë po merret antikrimi ekonomik.
Ai pranoi se në automjet u gjetën edhe dy patenta të ish-ministrit Saimir Tahiri, por kjo nuk përbën vepër penale.
Rasti u bë fillimisht publik dje nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, sipas të cilit ngjarja ishte mbajtur e fshehtë nga policia.
Por kjo e fundit reagoi duke e hedhur poshtë si të pavërtetë një pretendim të tillë duke shpjeguar se njoftimi ishte publikura në faqen online të policisë dhe se ajo vetë kishte ndjekur të gjitha procedurat e rregullta ligjore duke ja përcjellë çështjen prokurorisë.
Biznesmeni akuzhet për drejtim pa leje të automjetit, mosbindje ndaj urdhrit të policisë dhe fshehja e të ardhurave.
Sota mësohet të ketë thënë se sasia e madhe e parave do të përdorej për të paguar furnizimin me një sasi hekuri, për llogari të kompanisë të të atit të tij.
Por në çdo rast transaksione të tilla duhet të kryhen sipas ligjit, vetëm përmes bankave. Me urdhër të Prokurorisë është vendosur sekuestro e shumës prej mbi 800 mijë eurosh, pasi biznesmeni nuk justifikon burimin e të ardhurave dhe destinacionin e tyre.
Lidhur me praninë në mjetin e tij të patentave të ish ministrit Tahiri ai mësohet të ketë deklaruar se ato ishin harruar aty nga shoferi i ish ministrit, të cilin ai ka thënë se e ka mik dhe se e kishte takuar disa ditë më parë.
Zoti Tahiri është nën hetim nga Prokuroria e cila dyshon se ai ka lidhje me grupin e Habilajve, vëllezërve me të cilët ai ka lidhje farefisnore e që akuzohen nga Drejtësia italiane se janë pjesë e një organizate italo-shqiptare që merrej me trafikun e marijuanës.
Ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim për gjetjen e patentave të tij në automjetin e biznesmenit.
Opozita e ka akuzuar atë se ka lidhje me Sotën, një kompani e të cilit rezulton të ketë kryer dhe rikonstruksionin e një komisariati policie në Tiranë, të inauguruar prej tij kur ishte ministër.
Kryetari demokrat Basha tha sot se “Orest Sota ka mohuar njohjen me Tahirin ndërkohë që rezulton se me këtë makinë kanë lëvizur disa herë jashtë shtetit bashkë”.
Sipas zotit Basha edhe shuma prej mbi 800 mijë eurosh i përket pikërisht zotit Tahiri.