Aktivistët e refugjatëve po tërheqin vëmendjen mbi trajtimin e dobët të refugjatëve dhe migrantëve të bllokuar në ishujt e Greqisë, ndërsa në kampin më famëkeq të kontinentit, kushtet janë po aq të zymta.
Nëntori pritet të sjell mbylljen e Dervenit, kampit të vetëm në Greqinë kontinentale, ku refugjatët dhe emigrantët ende jetojnë në çadra, brenda një fabrike të papërdorur në një zonë industriale pranë qytetit verior të Selanikut.
Mbyllja e kampit të Dervenit, nëse ndodh, do të vijë mes përpjekjeve për t'u zhvendosur nga modaliteti i krizës në një qasje afatgjatë të problemit të refugjatëve, pasi shteti grek po konsolidon përpjekjet për të menaxhuar një popullsi të re prej më shumë se 50.000 njerëzish, shumë prej të cilëve zyrtarët grekë kanë frikë se mund të qëndrojnë në vend për vite të tëra.
Mes një rritje të hyrjes së refugjatëve në Greqi dhe kritikave ndaj trajtimit të situatës nga shteti, banorët e sapo ardhur të Dervenit mbeten thellësisht të pasigurtë për të ardhmen.
Për disa, 'Fundi i Botës'
"Mendova se gjërat do të përmirësoheshin, por kur erdha këtu dhe përjetova këtë, ndjeva sikur kishte ardhur fundi i botës", thotë Jemal, një banor i kampit, i cili kërkoi të identifikohej me këtë emër, që nuk është i tij.
Ai iku nga shtëpia e tij në Afrikën Lindore pasi foli kundër korrupsionit. Ai ka frikë ta tregoj publikisht emrin e vendit të tij të origjinës. Ai kaloi Egjeun me një gomone nga Turqia në ishullin grek të Lesvos, ku kaloi katër muaj duke fjetur në një çadër.
Rreth 13,500 emigrantë dhe refugjatë aktualisht janë duke qëndruar në ishujt grekë, përfshirë ishujt Chios, Samos, Kos dhe Leros.
Ata përballen me dëbim të mundshëm pasi presin përgjigjen ndaj kërkesave për azil për më shumë se një vit e gjysmë dhe në bazë të marrëveshjes BE-Turqi, atyre që u refuzohet kërkesa për azil mund të kthehen të Turqi. Në shkëmbim të marrjes së këtyre refugjatëve Turqia merr ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian.
Gjendja e përgjithshme dhe kushtet e këqija të jetesës në kampe kanë nxitur kritika nga organizatat humanitare, duke përfshirë një grup prej 19 personash që i dërguan një letër të hapur Kryeministrit grek Alexis Tsiprias më 23 tetor. Letra i bën thirrje qeverisë greke t’i jap fund politikës së saj të mbajtjes së refugjatëve dhe emigrantëve në ishuj dhe kërkoi që qeveria t'i transferojë ata menjëherë në kontinent me qëllim që "të përmbushen nevojat e tyre të mbrojtjes".
Megjithatë, realiteti i ri i Jamalit në kontinent është më i keq.
"Dua të kem një jetë normale, por këtu jeta nuk është normale", thotë ai.
Kushtet e rënda
Derveni ishte një nga kampet e përdorura nga qeveria në fillim të verës së kaluar pas shpërndarjes së mijëra njerëzve në kampe të improvizuara të krijuara në pikën e kalimit të kufirit me Maqedoni, kur ky vend mbylli kufijtë e tij.
Më shumë se 200 vetë ndodhen tani në kamp, disa prej tyre kanë ardhur të paregjistruar dhe në këmbë kanë kaluar nga Turqia në Greqinë veriore, dhe të tjerë, si Jemali, u transferuan atje nga ishujt grekë nga shteti.
Në javët e fundit, këto transferime kanë ndalur, megjithëse presioni për të larguar refugjatët nga ishujt po rritet përsëri, duke marrë parasysh se muajin e kaluar rreth 6,000 refugjatë u futën në vend nga Turqia, një rritje e mprehtë në krahasim me muajt e mëparshëm.
Në Derveni, ku në verë temperaturat janë të larta ndërsa në dimër tepër të ulta, dhe vullnetarëve po u mohohet hyrja në kamp, dëshpërimi është përhapur. Përdorimi i drogës, vjedhjet dhe përleshjet janë bërë pjesë e jetës në kamp.
"Njerëzit vijnë këtu dhe kanë stres, probleme dhe ndihen të zemëruar", thotë Mohammedi, një iranian që u transferua në kamp nga ishulli grek i Samos. Ai kërkoi që emri i tij i vërtetë të mos përdorej, siç është e zakonshme në mesin e shumë refugjatëve të cilët shpesh kanë frikë se zbulimi i identitetit të tyre mund të rrezikoj shanset e tyre për azil ose sigurinë e familjeve të tyre në vendet nga ata vijnë.
Ndërkohë, disa persona anonim, të cilët kohët e fundit kishin hyrë në kamp, paralajmëruan rreth kushteve të sigurisë, duke i thënë Zërit të Amerikës se: "Nëse një çadre do t’i vihej zjarri, i gjithë kampi do të digjej brenda 10 minutave".
"Nuk do të doja që as armiku im më i madh të jetonte në ato kushte", shtuan ata.
Planet për mbylljen e kampit
Derveni është famëkeq për shumë punonjës humanitarë në Greqi.
Liene Veide është zëdhënëse e UNHCR-së, Organizatës së OKB-së për refugjatëve, dhe ka folur kundër zhvendosjes së njerëzve nga ishujt grekë në kampin e Dervenit.
Kampi "nuk është një vend i përshtatshëm për asnjë qenie njerëzore për të jetuar aty, veçanërisht jo në planin afatgjatë", thotë Veide.
Gianluca Rocco, shefi i misionit të Greqisë në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM), e cila së bashku me ushtrinë greke mbikqyr kampin në Derveni, tha se përmirësimet nuk janë bërë për shkak se kampi pritej të mbyllej më shpejt. "Na thanë shumë herë se kampi do të mbyllet", tha Rocco, "dhe nganjëherë kur përpiqesh të mbyllësh një kamp krijon një situatë ku nuk dëshiron të investosh në diçka që do të mbyllet".
Ministri grek i Politikës së Migracionit, Giannis Mouzalas premtoi më herët se kampi do të mbyllej deri në fund të vitit të kaluar përpara se ta shtynte datën përsëri, deri në maj të vitit 2017.
Ministria e Politikave të Migracionit nuk i është përgjigjur kërkesave për të komentuar mbi këtë problem.
Zyrtarët e UNHCR-së i thanë Zërit të Amerikës se Derveni është mes pesë kampeve në Greqinë veriore që do të mbyllen deri në fund të nëntorit. Tetë kampe të tjera janë mbyllur më herët këtë vit.