Në Tiranë ka nisur një diskutim publik mbi paketën e re fiskale, buxhetin e ri dhe investimet.
Qeveria u shpreh se një nga burimet e financimit është edhe “Paketa 1 Miliard”. Kjo nismë parashikon garantimin nga qeveria për një pjesë të investimeve publike, që do të bëjnë kompanitë private.
FMN dhe studiuesit vendas po e shohin "Paketën 1 Miliard" me dyshimin se ajo është një mënyrë e tërthortë për të marrë borxhe të reja dhe kështu mund të rritet më tej borxhi publik.
Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, bisedoi me dy analistë të ekonomisë dhe njofton nga Tirana.
Your browser doesn’t support HTML5
Propozimi i qeverisë për investime publike sipas “Paketës 1 miliard” ka futur në dyshime FMN dhe ekspertë shqiptarë se ky do të jetë një borxh shtesë dhe me kosto të lartë.
Studiuesit pohojnë se investimi në këtë mënyrë është më i shtrenjtë se financimi nga buxheti apo kreditimi nga bankat.
Profesor Arben Malaj, thotë se “nevojitet që qeveria të bëjë transparencë të plotë në parlament për “Paketën 1 miliard”, të qartësojë dobinë ekonomike e sociale të çdo projekti dhe aftësinë për t’i paguar këto detyrime, sepse koha e shlyerjes së tyre është më larg se një mandat 4-vjeçar”.
Pjesa më e madhe e banorëve vuajnë nga varfëria dhe papunësia, madje shumë prej tyre po largohen nga Shqipëria.
Ekspertët pohojnë se kjo sfidë përballet me investime të shumëfishuara në zonat rurale, me përmirësimin e infrastrukturës rurale.
Zoti Malaj thotë se sipas studimeve të Bankës Botërore, investimi në rrugët e fshatit sjell më lehtë prodhimet e tyre në treg, mjekësia dhe arsimi më i mirë në fshat kanë efekt 6 herë më të madh se investime në fusha të tjera.
Analistët mendojnë se në kushtet e ekonomisë shqiptare, bankat mund të financojnë kërkesa të firmave, që do të hyjnë me projekte në paketën 1 miliardë bazuar më shumë tek garancitë e kompanive që do të aplikojnë për kredi, se sa nga ideja që ajo është e garantuar nga qeveria.
Në këtë situatë rreziku kryesor i nismave të tilla krahas mungesës së transparencës është edhe klientelizmi, pohojnë vëzhguesit.
Ndërsa analisti Bardhi Sejdarasi thotë se “kjo ide është përmendur nga kryeministri Rama edhe në mandatin e parë dhe se tani po rimerret si një mjet për investime më të shpejta e më të mëdha”.
Kjo nismë, sipas tij, është disi ndryshe nga qasja e përgjithshme e institucioneve financiare ndërkombëtare, të cilat po i këshillojnë qeveritë të rritin investimet publike nga buxheti i tyre, në fusha ku mbështetet rritja ekonomike.
Studiuesit mendojnë se përzgjedhja e projekteve të “Paketës 1 miliard” duhet të bëhet me përgjegjshmëri të lartë profesionale dhe struktura financiare e projekteve e mirëbalancuar.
Shtete të tjera si Spanja dhe Kroacia, pohojnë ata, kanë pësuar kriza të rënda prej subvencionime të pastudiuara mirë në energji dhe infrastrukturë, duke rritur ndjeshëm deficitin publik.