Evropa merr masa ndaj sulmeve xhihadiste

Qeveritë evropiane po përpiqen sërish për të gjetur një sistem të ri masash sigurie që do t’ua vështirësonte ekstremistëve përdorimin e makinave, thikave dhe llojeve të tjera të armëve të teknologjisë së ulët për të sulmuar civilët në qendra e qyteteve dhe në pikat kryesore monumentale dhe turistike.

Sulmi me makinë në fillim të këtij muaji në Barcelonë ku një furgon mori jetë këmbësorësh, u pasua nga një sulm me thikë në qytetin Turku, të Finlandës. Për shkak të këtyre sulmeve, autoritetet kombëtare dhe lokale në mbarë kontinentin po rishikojnë masat e sigurisë dhe po ngrenë barriera që do të pengojnë ekstremistët që synojnë të godasin civilët.

Por, analistët thonë se shumë autoritete vendore ngurrojnë të ndërmarrin masa të llojit izraelit, ndërsa po shqyrtojnë edhe kostot dhe anën estetike të këtyre masave. “Nuk mundemi ta mbushim Barcelonën me shtylla betoni”, i tha një radioje spanjolle Joaqim Forn, i cili është përgjegjës për situatën e sigurisë në rajonin e Katalonias.

Megjithatë, pas çdo sulmi të ri, po bie edhe hezitimi, ndërsa prodhuesit e këtyre barrierave të sigurisë thonë se janë rritur porositë për të prodhuar barriera të reja gjatë javëve të fundit. Disa autoritete vendore, ndër to edhe qyteti britanik Birmingham, po përdorin ujin dhe pemët për të ndërtuar një lloj brezi mbrojtës.

Vetëm gjatë këtij viti Evropa ka përjetuar më shumë se 10 sulme me makinë.

Autoritetet britanike po marrin në konsideratë ngritjen e një pengese përgjatë lumit Tamiz për të mbrojtur godinën e Dhomës së Ulët të Parlamentit nga një sulm i mundshëm me varka. Ngritja e kësaj barriere u rekomandua nga shefat e policisë pasi u tregua gjatë një stërvitjeje sigurie se sa e lehtë ishte për ekstremistët që të hynin nëpërmjet lumit drejt pallatit Westminster, për të marrë jetët e ligjvënësve të cilët mblidhen në tarracat përgjatë lumit.

Në muajin mars, një britanik i konvertuar në mysliman, Khalid Masood, goditi me makinë këmbësorët në urën Westminster dhe në vazhdim goditi me thikë një polic në territorin e pallatit Westminster, përpara se të vritej me armë. Kryetari i bashkisë së Londrës ka bërë thirrje që të ndalohet qarkullimi i makinave në sheshin e Parlamentit.

Një zëdhënës i Westminister tha se “po bashkëpunojmë me policinë dhe shërbimet e sigurisë për t’u siguruar që masat e sigurisë të jenë të efektshme dhe të përballojnë të gjitha llojet e kërcënimeve me të cilat mund të përballet parlamenti”.

Policia e Londrës ndërmori një operacion të pazakontë sigurie gjatë fundjavës dhe ditën e hënë, për të mbrojtuar karnavalin e Notting Hill. Për herë të parë u vendosën barriera betoni dhe metali përgjatë rrugës më të gjatë festive të Evropës, ku morën pjesë rreth 1 milionë njerëz gjatë tre ditëve të aktivitetit. Operacioni përfshiu edhe 8 mijë policë që patrulluan rrugët më këmbë. Karnavali filloi vetëm një ditë pasi një burrë u afrua me makinë pranë policisë që ruante Pallatin Buckingham dhe në vazhdim i sulmoi oficerët me një shpatë.

Në Romë, autoritetet kanë ngritur barriera të reja përreth pikave historike për të parandaluar sulme me makina. Megjithatë, po debatohet shumë për aspektin estetik, ndërsa politikanë dhe banorë të qendrave historike po kundërshtojnë pengesat me pamje jo të këndshme. Vazo të mëdha me lule u vendosën ditën e hënë përreth pallatit presidencial Quirinale. Pas sulmit në Barcelonë, vazo të tilla janë vendosur edhe tek Forumi Romak dhe të tjera do të vendosen edhe tek Via del Corso dhe Piazza del Popolo.

Megjithëse Italia është një ndër vendet evropiane që nuk ka përjetuar një sulm xhihadist, po shtohet frika se një sulm do të ndodhë së shpejti edhe aty. Grupi terrorist Shteti Islamik ka kërcënuar disa herë se do të sulmojë kryeqytetin italian, dhe në veçanti Vatikanin.

Ditën e shtunë, një ndër ndihmësit e Papa Françeskut reagoi pasi video e publikuar nga ISIS bënte thirrje për sulme makina përreth Vatikanit. Ndihmësi i Papa Françeskut tha se “nuk mund të mos shqetësohemi”.

Por, kardinali italian Pietro Parolin u tha gazetarëve në qytetin Rimini se nuk janë shtuar masat e sigurisë për shkak të kësaj videoje. Në këtë video shfaqej edhe një terrorist duke grisur një imazh të Papa Françeskut.

Paloma Garcia Ovejero, zëdhënëse e Papës, tha se “kemi rritur masat e sigurisë dhe niveli i kontrollit është i lartë”. Ajo u tha gazetarëve se “siç mund ta dëshmojnë pelegrinët dhe turistët, sheshi i Shën Pjetrit është gjithnjë tepër i mbrojtur”.

Masat mbrojtëse përreth Vatikanit u shtuan në mënyrë dramatike pas sulmeve në Paris, si dhe u mbyll krejtësisht aksi kryesor i qarkullimit të makinave drejt sheshit. Vazo të rënda me palma u vendosën përgjatë rrugëve dhe prezenca policore dhe ushtarake italiane është tepër e dukshme rrotull Vatikanit. Ky territor i kishës mbrohet gjithashtu edhe nga Garda Zviceriane e Papës, si dhe nga një njësi prej 130 xhandarësh, pjesë e të cilëve është edhe një njësi e ndërhyrjes së shpejtë, si dhe një njësi kundër akteve të sabotazhit.

Garda Zviceriane, e cila ka përgjegjësinë e mbrojtjes personale të Papës, ka bërë rishtazi trajnime të reja në qytetin italisht-folës Ticino, në Zvicër. Javën e kaluar, komandanti i Gardës Zviceriane, Christoph Graf tha se “është vetëm çështje kohe që ekstremistët të kryejnë një sulm edhe në Romë”.

Ditën e hënë, Italia deportoi një 37-vjeçar maroken, i treti brenda këtij muaji, i cili konsiderohej si person i rrezikshëm për sigurinë.

Shumë kisha në mbarë Evropën po ndërmarrin masa të reja sigurie, si pjesë e përpjekjes për të ulur rrezikun e viktimave nga sulme të mundshme. Në Kolonjë, të Gjermanisë, autoritetet kanë vendosur barrikada me gurë të mëdhenj përgjatë perimetrit të katedrales historike Domplatte.