Autoritet në Irak njoftuan sot se rimorrën kontrollin e xhamisë historike në qytetin e Mosulit të shkatërruar nga militantët e Shtetit Islamik.
Ishte pikërisht nga ai vend që tre vite më parë kreu i grupit militant vetëshpalli kalifatin.
Të shtunën e javës së kaluar militantët e hodhën në erë xhaminë me një histori 850 vjeçare dhe minaren e saj 45 metra të gjatë.
Forcat irakiane të mbështetura nga ajri dhe toka prej koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po punojnë për të larguar luftëtarët e fundit të Shtetit Islamik nga pjesa e qytetit të vjetër të Mosulit perëndimor.
Mosuli ra në duart e Shtetit Islamik në vitin 2014.
Kryeministri irakian Haider al-Abadi tha se hedhja në erë e xhamisë ishte "njohja zyrtarisht e humbjes" nga ana e Shtetit Islamik.
Grupi militant ka humbur kontrollin e qyteteve të mëdha irakiane por kontrollon ende një pjesë të konsiderueshme të Sirisë. Sipas një njoftimi sot të Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, forcat kryengritëse siriane që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara kanë rrethuar plotësisht qytetin e Rakës në Siri, i cili shërben si kryeqyteti de-fakto i Shtetit Islamik duke i prerë grupit xhihadist edhe rrugëdaljen e fundit nga ky qytet.