Kryetari i partisë LIBRA, Ben Blushi, thotë se shoqëria shqiptare ka nevojë për projekte realiste kundër varfërisë, kundër plakjes dhe emigrimit të popullsisë.
Drejtuesi i partisë më të re në Shqipëri, thotë se platforma ekonomike e LIBRA-s është më ambiciozja për të krijuar vende pune dhe për të shpëtuar nga kolapsi ekonominë kombëtare.
Me zotin Blushi bisedoi korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Zoti Blushi! Ju sapo krijuat një parti të re të majtë në një spektër të mbingarkuar me parti të majta, ku janë edhe shumë parti të djathta. Çfarë risie sjell partia juaj, LIBRA, në këtë spektër të larmishëm partish politike?
Ben: Blushi: E para duhet të them se LIBRA është një parti e qendrës, sepse kështu është krijuar qysh në fillim. Ajo kërkon të mbushë një vakuum në këtë thatësirë idesh dhe pozicionesh politike, në shumë raste të dëmshme dhe, në përgjithësi mund ta them, edhe kriminale, që partitë e vjetra kanë mbajtur vitet e fundit sidomos. Kjo ka sjellë që Shqipëria është sot një vend kaq i polarizuar, kaq i korruptuar, me një administratë publike shumë të dekompozuar, një vend që prodhon më pak shpresë se çdo vend, e matur kjo nga Gallupi, që tha se 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria.
Në këtë kontekst, LIBRA është pozicionuar si një parti që mbështet shtresën e mesme dhe të varfërit e Shqipërisë, një parti që do të kthehet në fuqinë e njerëzve të zakonshëm. Shqipëria sot është një vend ku shumë pak njerëz, qofshin politikanë, qofshin shumë të pasur, qofshin njerëz të lidhur me pushtet, qofshin kriminelë të kthyer në politikanë, qofshin politikanë të kthyer në kriminelë, (se politikanët mund të kthehen në kriminelë dhe në pasanikë, kur janë jashtë kontrollit), pra, ky grusht njerëzish ka kapur ekonominë e Shqipërisë, ka kapur gjykatat, ka kapur televizionet, ka kapur liritë tona themelore, ka kapur gjithë pasuritë tona mbitokësore dhe nëntokësore.
LIBRA kërkon ta ndryshojë këtë realitet duke luftuar me këta dhe prandaj thonë se LIBRA është e vetme kundër të gjithëve. Dhe në fakt, LIBRA është vetëm kundër të gjithëve.
Zëri i Amerikës: Çfarë risie sjell partia juaj, LIBRA, me programin e saj?
Ben Blushi: LIBRA propozon një projekt kundër varfërisë. Asnjë parti sot nuk flet për varfërinë në Shqipëri, as ata që ishin deri dje në opozitë, as ata që janë deri sot në qeveri; tani janë të dyja palët bashkë në pushtet. A keni parë të flasin ata kundër varfërisë? LIBRA ka një projekt kundër varfërisë. LIBRA ka një projekt për të fuqizuar shtresën e mesme, e cila ka ardhur duke u holluar në 4 apo 5 vitet e fundit. Ka një polarizim të skajshëm social këtu. Janë shumë pak të pasur dhe shumë shumë të varfër dhe kjo e ka holluar shtresën e mesme, e cila është gjeneratori i lëvizjes së shoqërisë përpara. LIBRA do të përfaqësojë shtresën e mesme, duke e lehtësuar atë nga taksat, duke i dhënë më shumë garanci për arsim, duke i dhënë më shumë siguri për jetesë, duke rregulluar spitalet dhe duke larguar fëmijët e tyre nga kanabisi dhe veset e tjera të kësaj shoqërie, të induktuara me zor nga politikat e qeverive të fundit.
Libra ka një projekt të qartë kundër shpopullimit të Shqipërisë, i cili është problemi themelor që kemi sot, krahas plakjes. Shqipëria po bëhet më e vogël, shumë njerëz duan të emigrojnë. Në shumë pak vjet mund të jemi një popullsi 30-40 për qind më e vogël, për shkak se emigrojnë në masë më shumë shqiptarë se çdo vend tjetër evropian. Pra, po plakemi më shpejt nga të gjithë. Si do ta përballojmë ne skemën e pensioneve pas 10 vjetësh, nëse nipi emigron dhe punon në Gjermani dhe gjyshi duhet të jetë në pension në Shqipëri. Nëse nipi emigron dhe punon në Gjermani, ai nuk paguan sigurime shoqërore këtu, atëherë kush do të paguajë për pensionin e gjyshit. Kjo është e pamundur, dhe ne do të pengojmë në këtë shoqëri që nipi të shkojë në emigracion dhe gjyshi jeton këtu në mëshirë të Zotit. Kështu shteti do të dobësohej, korrupsioni do të rritej, fuqia punëtore do të dobësohet, investime të huaja nuk do të ketë, administrata do të jetë shumë më e varfër.
Zëri i Amerikës: Ju diskutoni shpesh për një mbrojtje më të madhe të shtresave në nevojë. Si mund të gjendet balanca midis zhvillimit të ekonomisë nga një anë dhe mbrojtjes përherë e më të madhe të shtresave në nevojë?
Ben Blushi: Unë besoj se ky ekuilibër mund të gjendet me disa rrugë. E para, është një shoqëri e drejtë, sepse shoqëria shqiptare nuk është sot e drejtë; i jep çdo të drejtë atij që ka lekë, dhe i mohon çdo të drejtë atij që nuk ka asnjë lekë. Kjo është një shoqëri totalisht e padrejtë. Do të fillojmë nga kjo: si i pasuri, si i varfëri të kenë të njëjtat të drejta dhe të njëjtat shanse për të ndryshuar jetën e tyre. E dyta, duke garantuar më shumë drejtësi, duke i shpallur luftë korrupsionit, duke bërë një shpërndarje më të mirë të pasurisë, duke u dhënë mundësi të varfërve të jetojnë me dinjitet dhe jo të jenë në kushte mizorie e çnjerëzore, duke kualifikuar punëtorët; të gjitha këto do të nxitin ardhjen e më shumë investimeve të huaja. Shqipëria ka vetëm një rrugë: të thithë investime të huaja, sepse paratë tona janë të pamjaftueshme për ta nxjerrë nga kolapsi ekonominë shqiptare. Ne parashikonim para 4-5 vitesh të kishim një rritje ekonomike 5-7 për qind në vitin 2017, por tani rritja jonë është vetëm gjysma e kësaj, vetëm 3.5 për qind. Pse rritemi kaq pak? Për shkak se ka korrupsion të lartë, administratë shumë të dobët dhe, për këto shkaqe, investime të huaja shumë të pakta. Sa kohë që nuk do të kemi investime të huaja, do të kemi shumë emigracion, do të kemi të varfër në papunësi kronike. LIBRA ka një projekt për thithjen e investimeve të huaja, për të bërë një shpërndarje më të mirë të pasurive dhe për të hapur punë. Kemi premtuar të paktën 100 mijë vende pune për të rinjtë. Problemi themelor i Shqipërisë është emigracioni i të rinjve. Nëse këta të rinj ikin nga Shqipëria, këtu nuk ka punë dhe ekonomia do të jetë shumë më e dobët.
Zëri i Amerikës: A mund të renditim më tej disa nga çështjet kryesore që përmban programi juaj elektoral?
Ben Blushi: Së pari, është minimumi jetik; do të vendosim një standard ligjor, moral dhe shoqëror, i cili parashikon që asnjë shqiptar të mos jetojë me më pak se 170 mijë lekë të vjetra në muaj. Sot ka familje që jetojnë me 30 mijë lekë në muaj. Kjo do të thotë që pjesëtarët e kësaj familjeje konsumojnë jo më shumë 400 lekë në ditë. Ne llogarisim që 170 mijë lekë në muaj duhet të jetë asistenca më e vogël, që merr një familje shqiptare. Kjo mund të nxjerrë nga mjerimi 400 mijë deri 500 mijë shqiptarë.
Së dyti, ulja e taksave për shtresën e mesme. Së treti, politikë e pastër kundër shpopullimit, hapje e vendeve të punës për të rinjtë dhe minimumi një mijë euro për çdo bebe që lind, për të stimuluar lindjet.
Shqipëria ka nevojë të stimulojë lindjet dhe të jetë një Shqipëri më e madhe jo duke ndryshuar kufijtë, por duke u rritur si popullsi.
E katërta, duke e konsideruar arsimin si ekonomi, ne kemi vendosur të investojmë dyfishin e parave në arsim, sepse besojmë që arsimi është vërtet ekonomi. Duke investuar në arsim do të kemi administratë më të mirë, më pak korrupsion, më shumë punë, më shumë dije dhe merr më shumë investime të huaja.
Ky është një proces që kërkon një dekadë, për ta sjellë Shqipërinë në nivelin e vendeve të zhvilluara, të cilat kanë investuar në arsim dhe prandaj kanë ekonomi të zhvilluara.
E pesta, një program themelor kombëtar për rindërtimin e Shqipërisë. Shqipëria është sot një vend i izoluar mes vetes. Gati 27-30 vjet nuk arritëm dot të ndërtojmë një rrjet dhe infrastrukturë rrugore, shkollash dhe spitalesh, që të bashkojnë vendin. Sot kemi autostrada ku kemi investuar miliarda euro, të cilat pas 50 kilometrash autostrada ndërpritet, kalon në një rrugë fshati dhe më tej nis një autostradë e re. Jemi edhe mes krahinash të izoluara, por pas kësaj nuk mund të ketë edhe turizëm më të madh nga jashtë.
E gjashta, jemi shumë të ndjeshëm në politikat për të kthyer emigrantët nga jashtë. Ata kanë emigruar 20 miliardë euro në 25 vjet dhe na kanë shpëtuar shtetin nga falimenti me prurjet e tyre, një herë në vitin 1997 dhe së dyti nga kriza financiare e disa viteve më parë. Po të mos ishin remitancat e tyre, Shqipëria do të kishte falimentuar ekonomikisht. Ne do të bëjmë gjithçka për të marrë investime nga francezët, gjermanët etj., dhe kjo është e domosdoshme. Por mund të përpiqemi të thithim kursimet e emigrantëve dhe kemi vendosur që çdo emigrant shqiptar që vjen dhe investon në Shqipëri do të detaksohet të paktën 3-4 vjet, nëse investon më shumë se 100 mijë euro duke hapur vende pune. Çdo emigrant shqiptar që kthehet dhe investon më shumë se 100 mijë euro nuk paguan taksë 3-4 vjet. Kemi nevojë të thithim minimumin 3 miliardë euro për 4 vjet. Por, ata duhen bindur që prona mbrohet, që paratë e tyre kthehen pas, që ata ftohen nga shteti, i cili deri tani i ka braktisur emigrantët, madje nuk u dha as të drejtën e votës. Gjëja e parë që do të bëjmë; do t'u japim të drejtën e votës, duke i ftuar të votojnë nga gjithë globi. Nëse një shqiptar voton nga Australia, voton në shtëpinë e vet me elektronikë, ai është më i interesuar të votojë këtu. Ai e ndjen vendin e vet duke votuar. Këto do të bëjë LIBRA, për një transformim radikal në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Si do të mbulohen kaq shumë fatura të mbrojtjes sociale dhe investimesh në tema sociale?
Ben Blushi: Një mijë euro për bebe janë 30 milionë euro në vit, sepse Shqipëria lind 30 mijë bebe në vit. Në fakt, duhet të lindte dyfishin e kësaj. Ne duhet të ishim nga 60-100 mijë bebe në vit për të patur një vend të begatë, që duhet të shkonte 4-5 milionë banorë dhe jo si po shkon 1.5 milionë banorë.
30 milionë euro në vit janë para të abuzuara nga Rilindja Urbane vetëm në 3 qytete Durrës/Kavajë, Shkodër e Korçë. Para që kanë shkuar në xhepat e atyre që kanë administruar fondet. Pse këto para të mos i marrin bebet e Shqipërisë dhe nënat e tyre për një shëndet më të mirë? Pse t'i marrin 4-5 kryetarë bashkish? Ato para nuk kanë shkuar për mirërritjen e fëmijëve, por kanë shkuar për luks dhe në Shqipëri duhet të marrë fund kjo praktikë neofashiste, sipas të cilës, investohet më shumë për luks, se sa për ushqim, më shumë për buzëkuq se sa për libra, më shumë për televizor se sa për kuzhinë. Këta po i vënë pudër pluhurit të hashashit dhe kjo praktikë duhet të marrë fund dhe LIBRA është e vendosur.
Edhe një gjë tjetër, lidhur me koncesionet e qeverisë që kemi në fuqi: ajo u ka dhënë 5 klientëve të vet 300 milionë euro koncesione, që janë totalisht të padobishme dhe nuk kanë shtuar asnjë lek në ekonominë e vendit, dhe as kanë përmirësuar shërbimet. Fatura e minimumit jetik për 400 mijë persona është 320 milionë euro. Pra, më mirë t'ua japësh këto para 500 mijë të varfërve, duke i nxjerrë nga gjendja e varfërisë akute dhe e cenimit të dinjitetit njerëzor, se sa t'i marrin vetëm 5 vetë.
Zëri i Amerikës: Ju e kritikoni shpesh qeverinë socialiste, por edhe ju vetë keni qenë në shumë vite pjesë e asaj shumice, deputet, kryetar grupi parlamentar, ministër. Pse duhet t'iu besojnë dhe t'iu ndjekin tani njerëzit, kur edhe ju keni qenë bashkautor i gjithë këtyre hapave që kanë ndërmarrë qeverisjet e mëparshme?
Ben Blushi: Unë nuk jam bashkautor i asnjë prej gjërave që kritikoj. Unë nuk kam hyrë te persekutorët. Unë nuk kam bërë asnjë dëm në këto. Unë jam i vetmi në parlament, i cili që nga viti 2005 kam qenë në opozitë. Askush nuk ka bërë 12 vjet opozitë. Unë kam bërë rrugën e kundërt, që askush nuk e ka bërë. Të gjithë ata që populli i nxjerr në opozitë, kapërcejnë dhe shkojnë me qeverinë. Unë bëra kahun e kundërt për bindjet e mia, për dinjitetin tim, sepse më hoqën të drejtën e zgjedhjes në grupimin politik ku isha, sepse mbështetën të pasurit dhe persekutuan të varfrit. Ata kaluan ligjin e mbetjeve, ligjin e arsimit të lartë dhe ligjin e pronave, të cilat unë i kam votuar kundër me ndërgjegje. Unë dola në opozitë me vullnet të lirë.
Unë nuk kam asnjë peng dhe jam shumë i kënaqur që kam arritur të krijoj diçka të re bashkë me shumë miq, që quhet LIBRA dhe që ndryshon totalisht nga të gjitha praktikat e kaluara, për të cilat unë nuk mbaj përgjegjësi. Por, pavarësisht nga kjo, i ftoj të gjithë të bëhen pjesë e një gjëje të re, duke mos parë pas. Ajo që ka ikur ka ikur dhe duhet të shohim përpara. LIBRA është e vetmja parti në zgjedhjet e vitit 2017, e cila ka një projekt. Nuk ka projekt as Rilindja, nuk ka projekt as Çadra, nuk kanë projekt asnjë nga partitë e vjetra. LIBRA ka një projekt për varfërinë, për shtresën e mesme, për sistemin e drejtësisë, për arsimin, shëndetësinë, për popullimin dhe emigracionin.