Dita Botërore e Refugjatëve

Sot është Dita e Botërore e Refugjatëve e cila kërkon të sjellë vëmendjen ndaj numrit të paparë të refugjatëve në mbarë botën. Më shumë se 65 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, kryesisht nga lufta dhe dhuna, dhe më shumë se 22 milionë prej tyre janë refugjatë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke njofton se refugjatët mbështeten kryesisht nga donacionet dhe se ato janë duke u pakësuar.

Gjatë viteve të fundit, shumë njerëz u larguan nga Siria pasi u sulmuan nga njëra nga palët në luftën civile gjashtë vjeçare ose nga militantët e Shtetit Islamik, që morën kontrollin në verilindje të vendit. Shteti Islamik ka humbur territore gjatë muajve të fundit, por njerëzit që janë larguar nga terroristët nuk janë të sigurtë në se mund të kthehen përsëri.

"Nëse situtata e sigurisë nuk qetësohet, ne nuk do të kthehemi. Ku do të jetojmë? Si do të ushqehemi? Ata që kanë humbur shtëpitë e tyre nuk mund të punojnë ose kanë familje të mëdha; çfarë do të bëjnë të kthehen?" thotë një refugjat sirian në Liban.

Shumë nga refugjatët jetojnë në çadra, në kampet e ngritura nga OKB-ja ndërsa presin të risistemohen në një vend të tretë. Jordania, një vend me 10 milionë banorë, është strehë për gati 700 mijë refugjatë. Disa prej tyre janë viktima të torturave dhe abuzimeve. Një grup ndërkombëtar avokatësh, po ndihmon 50 nga refugjatët në gjendje më të vështirë në Jordani.

"Ajo që u them klientëve është se ne do t’indihmojmë derisa ata të jenë në gjendje të mbështeteni në forcat e tyre dhe të kujdesen për veten. Kjo mund të kërkojë 10 vjet, ose 20 vjet, apo gjithë jetën", thotë Jayne Fleming me projektin për mbrojtjen e refugjatëve.

Mbështetja për refugjatët varet nga donacionet publike dhe private. Ndërsa numri i refugjatëve rritet, fondet për mbështetjen e tyre bëhen të pamjaftueshme. Agjencia e OKB-së për Refugjatët i ka bërë thirrje të përsëritura komunitetit ndërkombëtar për më shumë donacione. Ajo ka marrë leje nga udhëheqësit fetarë në disa vende myslimane, duke u mundësuar qytetarëve të tyre të japin donacione për programet e refugjatëve. Myslimanët tradicionalisht priten t’i japin ndihmë shtetit për të ndihmuar të varfërit. Por tani njerëzit në disa vende të pasura me naftë do të jenë në gjendje të mbështesin drejtpërdrejtë programet e refugjatëve.

"Përmes këtij programi, donacionet shkojnë 100 për qind dhe drejtpërdrejtë tek refugjatët dhe nuk kanë ndonjë shkurtim në taksa ashtu si programet e tjera të financuara nga UNHCR-ja ku donancionet kanë një taksë administrative prej 7 përqindësh", thotë Abu Asaker me UNHCR-në në Lindjen e Mesme.

Por në një botë ku çdo minutë gati 20 njerëz janë të detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre si rezultat i konflikteve apo persekutimit, nevoja për mbështetje e tejkalon mundësinë e fondeve.