Trump kërkon ndalimin e udhëtimeve nga "vendet e rrezikshme"

Presidenti amerikan Donald Trump, përdori mbrëmë vonë Twitterin, duke bërë thirrje përsëri për një ndalim udhëtimesh nga ato që ai i quajti "vende të rrezikshme".

"Është pikërisht kështu, - shkruante Presidenti. – Na duhet një ndalim udhëtimesh për disa vende të rrezikshme; nuk na duhen terma politikisht korrektë që nuk na ndihmojnë të mbrojmë popullin tonë!"

Komentet vijnë pas atyre që ai bëri në Twitter dje në mëngjes, ku fajësonte Departamentin e Drejtësisë për hartimin e një versioni të "zbutur" të ndalimit të udhëtimeve që zoti Trump nënshkroi kur urdhri i tij i parë u kundërshtua në gjykatë.

Urdhri i parë ekzekutiv ndalonte hyrjen për njerëzit nga Iraku, Irani, Siria, Libia, Jemeni, Somalia dhe Sudani për 90 ditë, ndalonte gjithashtu për një afat të pacaktuar hyrjen e refugjatëve nga Siria, duke bërë përjashtime për pakicat fetare. Urdhri i rishikuar e hoqi Irakun nga lista, ndryshoi ndalimin për refugjatët sirianë në 120 ditë dhe hoqi përjashtimet mbi baza fetare.

Një numër gjykatash federale i kanë ndaluar autoritetet ta zbatojnë urdhrin.

Ndërkaq, Presidenti Trump mori në mbrojtje faktin që përdor kaq shpesh komentet në Twitter, duke thënë se kjo është mënyra e tij për të arritur tek publiku pa u filtruar fjalët e tij përmes mediave tradicionale të lajmeve.

Zoti Trump tha sot se “Mediat e rreme po përpiqen shumë që unë të mos përdor mediat sociale. Ata e urrejnë faktin që unë jam në gjendje të përcjell mesazhin e ndershëm dhe të pafiltruar".