Lirohet Ramush Haradinaj

Gjykata franceze në Colmar liroi të enjten ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke hedhur poshtë kërkesën e Beogradit për ekstradimin e tij nën akuzat për krime lufte.

“Janë humbur katër muaj kohë, nuk është pak, është kohë e çmueshme. Por, ka ndodhë ajo që është dashur të ndodhë, e drejta është në anën tonë”, tha zoti Haradinaj me të dalë nga gjykata, e cila urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij.

Në Prishtinë, partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kremtoi me fishekzjarrë. "Ndalja e tij në Francë për gati 4 muaj, ka qenë krejt e panevojshme dhe një përpjekje e hapur e Serbisë, që duke e vënë në lajthitje edhe Francën, ta destabilizojë Kosovën", thuhet në një reagim të kësaj partie.

Në Beograd, qeveria serbe u mblodh në një mbledhje urgjente për këtë çështje pas së cilës tha se do ta thërras ambasadorin e saj në Francë për "këshillime", ndërsa do t'i dorëzojë ambasadës franceze në Beograd një notë proteste..

Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë, kërkesa që kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të Beogradit.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Ndalimi i tij në bazë të urdhër arrestit serb nxiti shumë reagime në Kosovë ku parlamenti miratoi edhe një rezolutë për pezullimin e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e tij.

Kosova mirëpret lirimin e ish kryeministrit Haradinaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se "vendimi i gjykatës në Colmar, që zoti Haradinaj të kthehet në Kosovë është lajm i mirë për familjen Haradinaj, për bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë Kosovën. Edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike".

Qeveria e Kosovës përshëndeti lirimin e ish-kryeministrit Haradinaj. "Duke vlerësuar se fletarrestet serbe mbi bazën e të cilave është ndaluar zoti Haradinaj janë të paligjshme dhe të padrejta, qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i gjykatës franceze është konfirmim se e drejta është në anën e zotit Haradinaj dhe se fletarrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta", thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës, në të cilin theksohet se ajo do të vazhdojë të bëjë "çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen".

Ligjvënësi Engel përshëndet lirimin e Haradinajt

Ligjvenësi amerikan Eliot Engel, duke reaguar për lirimin e zotit Haradinaj shprehu shpresë se ky vendim do të lejojë Prishtinën dhe Beogradin t'i rikthehen negociatave për normalizimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Eliot Engel

Duke kritikuar Beogradin për urdhër-arrestin e lëshuar, ligjvenësi Engel, shprehet se "në se Serbia do të ishte serioze për përmirësimin e marrëdhënieve, ajo nuk do të kishte kërkuar arrestimin e zotit Haradinaj, i cili është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata e Hagës".

Eliot Engel, Demokrati më i lartë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme, shpreh edhe shqetësim për furnizimin e Serbisë me armë nga Rusia. "Duke pranuar armë të avancuara nga Vladimir Putini, Beogradi po hyn në një garë armatimi që do të kërcënojë fqinjët e tij dhe do të dëmtojë partneritetin për siguri me Shtetet e Bashkuara", - përfundon ligjvenësi amerikan.