Të djelën, në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, komuniteti hebraik në Uashington nderoi një familje shqiptare që shpëtoi hebrej gjatë luftës.
Familja Veseli me origjinë nga Kruja iu shtua listës së shpëtimtarëve të hebrejve në prani të shumë pjestarëve të komunitetit hebraik.
Your browser doesn’t support HTML5
Pjestarë të familjes Veseli erdhën nga shtetet Nju Xhersi dhe Masaçusets për t'u nderuar me një ceremoni në Sinagogën Adas Israel.
Lidhja e shqiptarëve dhe hebrejve rrëfehet sot si një histori mikpritje të pashembullt e zemërgjersie, në kohëra të errëta për mbarë Evropën.
Nuk ka rast që të mos përmendet fakti se vendi i vogël i gadishullit të Ballkanit, ishte i vetmi në Evropën e pushtuar prej nazistëve që në përfundim të luftës së dytë botërore, kishte më shumë hebrej sesa në fillim të saj.
Dhe kjo në fakt është një histori guximi, sikurse ajo e familjes Veseli nga Kruja, që i shpëtoi jetën duke i strehuar, 2 familjeve izraelite.
Kongregacioni Ada Izrael, zgjodhi këtë familje mes shumë të tjerash për të shprehur mirënjohjen e thellë një populli, që zgjodhi në mënyrë të guximshme, të kryente një akt të pashoq për kohën.
“Kemi privilegjin të nderojmë jo vetëm një individ por një familje të tërë, që shpëtuan jetë të pafajshme, familjen Veseli. Nëpërmjet tyre nderojmë të gjithë vendin, për trajtimin me respekt, dinjitet dhe dashuri të jashtëzakonshme të hebrejve”, thotë rabin Gil Steinlauf.
Takimi i familjes Veseli me familjet e Moshe Mandil and Josef Ben Joseph ndodh në vitin 1943. Refik Veseli, që punonte çirak në një studio fotografie në Tiranë, ofrohet pa hezitim t’i strehojë ata, në shtëpinë e prindërve në Krujë. Deri në përfundimin e luftës, familja krutane bën gjithshka t’i mbrojë ata nga nazistët.
Shqiptarët janë njerëz të thjeshtë dhe jashtëzakonshëm. Ne shqiptarët kemi një traditë të gjatë tolerance, besnikërie, mikprijeje e zemërgjesie, dhe këto qëndrojnë në themel të vlerave tona. Bazuar tek ato i ofruam strehë komunitetit hebre, thotë ambasadorja e shqipërisë Floreta Faber.
Pjesë e ceremonisë së organizuar me rastin e nderimit të familjes Veseli, ishte dhe një prej emrave të njohur të muzikës popullore shqiptare Merita Halili. Ajo shoqërohej nga bashkëshorti i saj Raif Hyseni, të dy me një karrierë të gjatë artistike dhe fitues të disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në fjalën e tij rabini Gil Steinlauf mes të tjerash tha:
“Është nder për ne si komunitet hebraik të nderojmë këta njerëz mes njerëzve të islamit”.
Por për vajzën e Refik Veselit, Ermirën, ky ishte një akt i gjithë shqiptarëve pa dallim feje:
“Mendoj se nuk është çështje vetëm e myslimaneve, ishte një akt i gjithë shqiptarëve”, i tha zonja Veseli Zërit të Amerikës, duke shtuar se “Më duket sikur sot përfaqësojmë të gjithë shqiptarët”.
Rrënjët e këtij akti nderimi gjenden tek Besa, një traditë shqiptare që tejkalon çdo ndasi fetare, që ofron strehë e mbrotje pa asgjë në shkëmbim, siç shkruhet edhe në fletëpalosjen e përgatitur për ceremoninë.
Këto vlera udhëhoqën familjen Veseli, së cilës në shenjë vlerësimi, mirënjohje e dashurie, iu dorëzua një menorë, simbol i egzistencës së popullit hebre.
Komuniteti hebre e ka shdërruar në një traditë të përvitshme atë të nderimit të të gjithë atyre që ndihmuan familjet e tyre, t’i shpëtojnë holokaustit. Në atë që njihet si kopshti i të drejtëve në një prej pllakave të vendosura aty do të jetë edhe emri i një familje shqiptare, asaj Veseli.