Pushime nga puna të mësuesve në rajonin kurd të Turqisë

People gesture while others wave Kurdish flags

Arsimtarët në Turqi janë në qendër të masave të ashpra ku më shumë se 12 mijë prej tyre janë pezulluar nga puna për lidhje me grupin kryengritës kurd, PKK. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, ishte në Dijarbakir, qyteti kryesor në juglindjen e vendit, të mbizotëruar nga kurdët dhe ku ishin të punësuar një e treta e arsimtarëve të pezulluar.

Në zyrën lokale të sindikatës së arsimtarëve “Egitim-Sen”, një avokate po këshillon disa mësues të sapo-pezulluar nga puna apo të akuzuar nën dyshimet për mbështetjen e terrorizmit. Një e katërta e 17 mijë mësuesve në Dijarbakir janë prekur nga masat e ashpra.

“Herët në mëngjes policia i ra me forcë portës së shtëpisë. U futën me dhunë dhe më thanë se kishin urdhër të më ndalonin. Menjëhjerë të kap shqetësimi dhe frika por e di që nuk ke bërë gjë të keqe. Por përsëri e di që mund të përballesh me një trajtim të tillë të ashpër”, thotë një mësues, i cili nuk dëshiron të indentifikohet për kamerat e Zërit të Amerikës.

Arsimtarët akuzohen për mbështetje të terrorizmit sepse vitin e kaluar morën pjesë në një grevë duke bërë thirrje për paqe dhe ndalimin e luftimeve mes qeverisë turke dhe PKK.

Por sindikata e mësuesve beson se një axhendë më e gjerë fshihet pas pezullimeve.

Jemi shumë të shqetësuar. Sindikata garanton laicizmin në fushën e arsimit dhe përgjithësisht në shoqëri. Nëse nuk do të ketë kundërshtim aktiv nga sindikata, besoj se sistemi arsimor do të transformohet në një sistem fetar nën hegjemoninë e fesë. Aktualisht po shohim shenja të kësaj tendence. Gjatë sulmeve pamë se imamët u emëruan në konviktet shtetërore,” thotë Sahila Zorlu, e cila drejton sindikatën.

Rajoni kryesisht kurd tradicionalisht ka pasur tendenca konservatore fetare. Grupet fetare në rajon që mbështesin qeverinë kohët e fundit kanë shtuar aktivitetet me tendencën për kthimin tek rrënjët islamike, si masë kundër Partisë Komuniste të Kurdistanit me bazë laike.

Si në mbarë vendin edhe në rajonin kurd ka patur një zgjerim të shkollave fetare. Qeveria këmbëngul se pezullimi i mësuesve ka të bëjë vetëm me luftën kundër terrorizmit. .

“Gjatë ditëve të ardhëshme, ata që propoganduan për organizatat terroriste, që bojkotuan shkollat, dhe që nxitën studentët t’i bashkohen grupit terrorist, do të ndahen nga mësuesit e pafajshëm. Mund të them se një përqindje e konsiderueshme do të rikthehen në punë dhe ata që janë fajtorë do të dënohen,” thotë Muhammed Akar, i cili drejton degën e Dijarbakirit të partisë AKP në pushtet.

Arrestimet dhe pezullimet e arsimtarëve po vazhdojnë të provokojnë zemërim dhe protesta. Shumë prindër ankohen se nuk ka mësues për fëmijët e tyre. Kritikët paralajmërojnë se pezullimet po shtojnë më shumë tensionet në rajon.

“Pozita e arsimtarëve kurdë ishte si kërci mes dy kockave. Në shkolla nuk ka arsim në gjuhën kurde por mësuesit që flasin këtë gjuhë mund të ndihmonin fëmijët që nuk flisnin turqisht. Tani me largimin e këtyre mësuesve, presidenti Erdogan po krijon fërkime,” thotë Idris Baluken, i cili drejton grupin parlametar të partisë pro-kurde HDP.

Rajoni i përfshirë nga konflikti duket se ka një linjë të re fronti - arsimin, ku mësuesit dhe fëmijët e gjejnë veten mes dy zjarreve.