Instituti i Paqes organizoi këto ditë një konferencë ku u analizua lufta globale kundër ekstremizmit. Në konferencë merrte pjesë edhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja.
Your browser doesn’t support HTML5
Gjatë programit televiziv Ditari, Zëri i Amerikës zoti Qehaja tha se megjithëse ka rënë numri i rekrutëve që i bashkohen ISISI-it, fitorja është larg sepse problemi është ideologjia që është përhapur në shkallë globale. Ai tha se duke pasur parasysh sulmet në Evropë, rreziku i ekstremizmit vazhdon të jetë i lartë.
Zoti Qehaja, organizata e të cilit ka hulumtuar çështjen e sigurisë, thotë se rreziku i dhunës nga luftëtarët e huaj që janë krthyer në Kosovë dhe Shqipëri, është shumë më i ulët sesa në vende të Evropës Perëndimore, duke përmendur si një nga arsyet lidhjet e tyre me familjarët dhe komunitetin.
Megjithatë ai tha se nuk përjashtohet mundësia e sulmeve individuale.
Megjithëse nuk e minimizoi rrezikun e ekstremizmit të dhunshëm në Ballkan, zoti Qehaja tha se në vendet e këtij rajoni nuk ka vatra xhihadiste.
Përsa i takon Kosovës, ai tha se në disa raste, rreziku i ekstremizmit të dhunshëm është sensacionalizuar duke u përdorur si mjet për të sfiduar Kosovën dhe pozicionin e saj shtetndërtues, si qarqe ruse dhe të tjera që japin informacion në dëm të vendit.