Tifozët që ndjekin Lojërat Olimpike të Rios kanë mundësi të shumta të zgjerojnë horizontet e tyre sportive dhe kulturore. Është gjithashtu një mundësi që sportet e ndryshme të reklamohen për audiencën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Swicord, vizitoi ekspozitën interaktive “Shtëpia e Volejbollit” në Kopakabana.
Volejbolli është ndër sportet me zhvillimin më të shpejtë në Lojërat Olimpike. Në lojërat e vitit 2008 në Pekin, 31 vende kërkuan të kualifikohen, ndërsa këtë vit aplikuan 176 ekipe.
Federata Ndërkombëtare e Volejbollit ka filluar një fushatë marketingu.
Richard Baker thotë se “Shtëpia e Volejbollit” në Kopakabana është e para e këtij lloji.
E ndërtuar brenda një shkolle të vjetër, ajo mirëpret tifozët që duan të mësojnë rreth historisë së volejbollit dhe përkujton disa nga ndeshjet më të rëndësishme.
“Ju duhet vetëm një copë litar dhe një top dhe mund të luani volejboll ku të dëshironi.”
Ndër seksionet e ndryshme është edhe një dhomë e realitetit virtual ku vizitorët mund të përjetojnë një ndeshje nëpërmjet syzeve.
Argëtimi i vërtetë ndodh në breg ku tifozët mund të gjuajnë topin së bashku me lojëtarë si fituesi nga Serbia i medaljes së artë olimpike, Vladimir Grbiç.
“Në volejboll, njerëzit janë të varur nga njëri-tjetri për të komunikuar, bashkëpunuar, për të qenë tolerantë në gjetjen e zgjidhjes. Të fitosh apo humbasësh së toku është një ndërveprim social thelbësor për brezin e ri.”
Gjatë një pritjeje të Federatës morën pjesë yje të volejbollit australian, si fituesja e medaljes së artë në lojërat e vitit 2000 në Sidnei, Natalie Cook.
“Kemi një plan që do të zbatojmë në katër vitet e ardhshme për të përhapur volejbollin në mbarë botën.”
Pas mbarimit të Lojërave Olimpike, “Shtëpia e Volejbollit” do të qëndrojë në Kopakabana, me synimin për të tërhequr drejt volejbollit më shumë fëmijë në plazhet e mrekullueshme të Rios.