Zonja Hillary Clinton mbajti të enjten mbrëma në Kuvendin e Partisë Demokrate një fjalim, që përfshinte një listë të arritjeve gjatë administratës së presidentit Barak Obama, propozimet për politikat që ajo synon të ndjekë dhe kritika ndaj disa prej politikave të parashtruara nga kandidati republikan Donald Trump.
Ashtu si në shumë fjalime politike, duke përfshirë atë të mbajtur nga zoti Trump në Kuvendin Republikan javën e kaluar, deklaratat jo gjithmonë përputhen me faktet. Ja disa shembuj.
Hillary Klinton: "Bernie Sanders dhe unë do të punojmë së bashku për ta bërë mësimin në kolegje falas dhe pa borxhe.
Fakt: Studentët nga familje që fitojnë më pak se 125 mijë dollarë në vit nuk paguajnë për shkollën, kur ajo është brenda shtetit të tyre apo kur bëhet fjalë për kolegje ose universitete publike, por kjo nuk mbulon banimin dhe ushqimin, që shkojnë mijëra dollarë në vit.
Hillary Clinton: "Ne nuk do të ndalojmë asnjë fe”.
Fakt: Zoti Trump nuk ka propozuar kurrë ndalimin e fesë Islame në SHBA. Zonja Clinton e ka fjalën për propozimet e zotit Trump që vënë në shënjestër myslimanët, duke përfshirë ndalimin e myslimanëve për të hyrë në vend si dhe ndalimin apo kontrollin e imtë për njerëzit të cilët vijnë nga vende me një të kaluar terrorizmi. Ai ka propozuar gjithashtu vëzhgimin e xhamive.
Hillary Clinton: "Kur më shumë se 90 për qind e fitimeve i shkojnë 1 përqind të popullatës, pikërisht aty është paraja.”
Fakt: Zonja Clinton dhe sidomos rivali i saj demokrat Bernie Sanders shpesh kur flasin për pabarazinë ekonomike i referohen elitës ekonomike me termin "1 për qind." Emmanuel Saez, ekonomist në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, ka publikuar të dhëna që tregojnë se rritja e të ardhurave është shtrirë kohët e fundit në një spektër më të gjerë: nga viti 2009 deri në 2015, vetëm 52 për qind e fitimit i ka shkuar 1 për qind të popullatës.
Hillary Clinton: "Donald Trump thotë se dëshiron ta bëjë Amerikën përsëri madhështore. Në fakt ai mund ta fillojë këtë duke prodhuar përsëri mallra në Amerikë.”
Fakt: Parrulla e fushatës së zotit Trump është "Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore” dhe me këtë ai pjesërisht synon të kritikojë
kompanitë që i zhvendosin disa ose të gjitha operacionet e tyre nga Shtetet e Bashkuara drejt një vendi tjetër, ku kostot e punësimit janë më të ulta. Zonja Clinton përmend kostumet e prodhuara në Meksikë, mobiljet e bëra në Turqi apo kornizat e prodhuara në Indi. Kompanitë e zotit Trump vërtet prodhojnë mallra në këto vende, por shumë produkte të tjera prodhohen në Shtetet e Bashkuara.
Hillary Clinton: "Ekonomia jonë është shumë më e fortë se sa kur (zoti Obama) erdhi në detyrë. Janë krijuar rreth 15 milionë vende të reja pune në sektorin privat".
Fakt: Zonja Clinton e ka fjalën për kohën kur SHBA dhe bota u ndodhën përballë një krize të madhe ekonomike. Ekonomia amerikane vërtet shtoi rreth 15 milionë vende pune nga kulmi i papunësisë në fillim të vitit 2010, por në atë kohë administrata Obama kishte tashmë një vit që ishte në detyrë dhe kishte pësuar humbje vendesh pun gjatë asaj kohe. Që kur zoti Obama mori detyrën, ekonomia ka shtuar rreth 10.5 milionë vende pune.