Autoritetet: gruaja e vrasësit kishte njohuri për sulmin

Hetuesit amerikanë thonë se bashkëshortja e autorit të vrasjeve në Orlando kishte disa njohuri mbi planet e tij dhe se e kishte shoqëruar atë për njohjen e terrenit, në klubin që frekuentohej nga homoseksualët.

Zyrtarë të Byrosë Federale të Hetimeve thonë se Noor Zahi Salman, gruaja e dytë 30 vjeçare e vrasësit Omar Sidiqqui Mateen dhe nëna e djalit 3 vjeçar, po bashkëpunon në hetime dhe mund të ofrojë të dhëna të rëndësishme për arsyet që e çuan Mateen të vriste 49 njerëz dhe të plagoste më shumë se 53 të tjerë të dielën në klubin e natës, Pulse.

Ndaj Salman nuk janë ngritur akuza, por ajo mund të përballet me drejtësinë për shkak se nuk i ka njoftuar autoritetet para ngjarjes makabre. Zyrtarët e rendit po thonë për median se ajo e paralajmëroi të shoqin që të mos e kryente sulmin ndërsa u largua për në Orlando mbrëmjen e së shtunës.

Hetuesit thonë se çifiti e vizitoi klubin mes 5 dhe 9 qershorit dhe se ajo e ka shoqëruar atë për të blerë municione. Autoritetet thonë se 29 vjeçari Mateen i bleu në rrugë ligjore armët që përdori në sulm. Policia e vrau atë në një përleshje të armatosur ndërsa ndërhyri në klubin e natës. Angus King, anëtar i Komisionit të Senatit për Zbulimin, i informuar mbi hetimet, tha për rrjetin televiziv CNN, se “duket se Salman kishte disa njohuri rreth atyre që po ndodhnin”.