Një anije e Rojës bregdetare italiane u ankorua në portin siçilian të Pozzallos me 322 emigrantë dhe refugjatë që i kishte shpëtuar në bord.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve, mbi 700 emigrantë mendohet se kanë humbur jetën në Detin Mesdhe, nga mbytja e anijeve për tri ditë në javën e fundit.
Anijet evropiane kanë shpëtuar mijëra të tjerë në operacione të vështira shpëtimi.
Fundosja e anijeve duket se ka shkaktuar numrin më të madh të viktimave në Mesdhe që nga prilli 2015, kur një anije u mbyt me 800 vetë në bord.
Organizatat humanitare thonë se shumë anije me imigrantë fundosen pa lënë gjurmë dhe të vdekurit nuk gjenden kurrë. Fati i tyre bëhet i ditur vetëm kur të afërmit njoftojnë se ata nuk kanë mbërritur në Evropë.