Në verën e vitit 1942, një diplomat japonez në Lituani ndryshoi rrënjësisht të ardhmen e shumë familjeve të tronditura nga Lufta e Dytë Botërore. Një ritakim në Çikago i dy familjeve të ndara nga lufta, gjuha, kultura, distanca dhe koha, që u bashkuan prej një gjesti të thjeshtë, shërben si një kujtesë e fuqishme se si një person i vetëm mund të ndikojë jetët e mijëra të tjerëve.
Ndërkohë që 28-vjeçarja Arielle Salomon po studion për diplomën e saj pasuniversitare, ajo shpesh rikujton jetën e saj fatlume.
“Jam rritur me kaq shumë fat që u mbrojta nga lufta.”
Ajo është ndikuar shumë prej kësaj.
“Është një histori e jashtëzakonshme.”
Kur Gjermania pushtoi Poloninë në vitin 1939, gjyshi i saj, Abram Salomon, u largua për në Lituani për t’i shpëtuar zhdukjes nga nazistët, që tashmë njihet si holokausti.
“Iu vra e gjithë familja, përveç atij dhe të vëllait, që mbijetuan.”
Mbijetuan për shkak të një njeriu.
“Njerëzit e quajnë gjyshin tim, Schindlerin japonez.”
Gjyshi Chihiro Sugiharas, Chiune, ishte diplomat japonez në Kaunas të Lituanisë. Në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, shumë refugjatë hebrenj aplikuan për viza japoneze për t’i shpëtuar gjenocidit të Hitlerit.
Duke sfiduar urdhërat e qeverisë, Chiune Sugihara dhe gruaja e tij u dhanë në vitin 1940 rreth 6 mijë viza refugjatëve hebrenj, ndër ta edhe gjyshit të Arielle.
“E kemi vendosur vizën e gjyshit në një kornizë në shtëpi, si kujtesë e kësaj historie të jashtëzakonshme.”
Sipas Qendrës Simon Wiesenthal, rreth 40 mijë pasardhës, si Arielle, janë gjallë sot për shkak të Chiune Sugiharas. Por, pas luftës, ai u kthye në atdhe i lënë në hije nga qeveria japoneze për shkak të veprimeve të tij.
“Në hebraizëm thuhet se forma më e lartë e bamirësisë është anonime dhe mendoj se ai e bëri vetëm sepse mendonte se ishte e drejtë dhe jo për veten e tij.”
Atij i është dhënë një nga titujt më të nderuar të Izraelit, “I Drejtë mes Kombeve”.
“Mendoj se është vërtet një hero.”
Një nga vizat që dha gjyshi i Chihiros është tashmë në Muzeun e Holokaustit të Illinois, aty ku Arielle Salomon takoi për herë të parë familjen Sugihara dhe u shprehu mirënjohjen pasardhësve të njeriut që i shpëtoi familjen.
“Janë emocione të papërmbajtshme.”
“Është e mrekullueshme të takosh një pasardhës të dikujt që u shpëtua.”
Familja Sugihara ka dëgjuar shumë histori të largimit dhe udhëtimeve nëpër botë për shkak të gjestit human të gjyshit të tyre.
“Për mua ishte thjesht një gjysh i mirë.”
Një gjysh i mirë për disa veta, por një shpëtimtar për shumë të tjerë.