Presidenti amerikan Barack Obama konfirmoi sot se do të vizitojë Kubën për të çuar më tej përparimin në marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe “përpjekjet që mund të përmirësojnë jetën e popullit kuban.”
Presidenti Obama tha në Twitter se do të ngrejë çështjen e të drejtave të njeriut gjatë bisedimeve në vendin e udhëhequr nga komunistët.
Shtëpia e Bardhë tha se vizita është planifikuar për në 21 dhe 22 mars, para se presidenti të shkojë në Argjentinë.
Zoti Obama do të jetë presidenti i parë amerikan që viziton Kubën pas nëntë dekadash.
Vizita vjen pas rihapjes së ambasadës amerikane në Havanë vitin e kaluar.
Javën e kaluar, zyrtarët amerikanë njoftuan se qytetarët në SH.B.A. dhe Kubë së shpejti do të jenë në gjendje të fluturojnë me linja ajrore të rregullta mes dy vendeve.
Marrëveshja e aviacionit është pjesë e planeve të shpallura në vitin 2014 nga Presidenti Obama për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike me Kubën.