Zhvillimet teknologjike po ndikojnë edhe tek mënyra e të mësuarit. Tani klasat e transformuara u japin mundësi fëmijëve të mësojnë nga robotët si dhe të ndërtojnë robotët e tyre.
Mjedisi ku arsimohen këta nxënës, falë teknologjisë, bën të mundur që përmes programeve kompjuterike lënda mësimore të zbulojë mistere që nga hapësira e largët e deri në thellësitë e oqeanit.
Shkollat dhe mësuesit po e përdorin teknologjinë për të ndryshuar mënyrën e të mësuarit tek nxënësit. Theksi kryesisht vihet tek lëvizja, sikurse ky program që e tranformon dyshemenë e klasës në një piano gjigande.
Panairi Bett në Londër është një hapësirë e gjerë për mësuesit dhe të tjetër që të shikojnë nga afër se si mund të përdorin teknologjinë nëpër shkolla.
WizeFloor është bërë nga Instituti Alexandra në Danimarkë. Kompania thotë se kjo dysheme ka egzistuar prej vitesh dhe se ky program përdoret gjithnjë e më shumë për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta. Por ky program mund të ketë përdorim edhe më të gjerë thotë Kaspar Rosengreen Nielsen.
“Disa fëmijë mësojnë më mirë duke lëvizur, disa të tjerë përmes angazhimit në tekste shkollore dhe disa fëmijë e kanë të vështirë të qëndrojnë ulur në banka, pa bërë gjë. Ata mësojnë më mirë kur lëvizin trupin dhe mbajnë mend gjerat më mirë kur janë në lëvizje.”
Kompania thotë se programi mund të përdoret për të mësuar fëmijët më të rritur që ata të kuptojnë mësimet që lidhen me shëndetin, si përshembull ushqimet e shëndetëshme.
Gjigandi kompjuterik Microsoft ka programe arsimore nëpër shkolla në mbarë botën. Aktualisht po blen variantin mësimor të lojës elektronike Minecraft me synimin për të shndërruar në një program më të avancuar posaçërisht për shkollat.
Varianti i ri, thotë Microsoft, do të shtojë dhe zgjerojë aftësitë e lojës me synimin që programi të jetë më i përshtatshëm për përdorim në klasë. Synimi është që një klasë prej 40 nxënësish të mund të punojnë së bashku në këtë lojë edukative.
Por nga ana tjetër, psikologët po shprehin shqetësim për shtimin e përdorimit të ekraneve elektronike nga fëmijët dhe ekspozimin ndaj lojrave që mund të shtojnë vetminë tek fëmijët.
Por Zëvendës Presidenti i Microsoftit për Arsimin Anthony Salcito, beson se përdorimi i teknologjisë mund të sjellë shumë përfitime.
“Shembujt më të mirë dhe më me ndikim përqendrohen më shumë tek aftësitë e veçanta dhe rezultatet e mësimit janë parësore. Mësuesit janë ata që do të vendosin se cili është objektivi i mësimit të tyre përmes lojës Minecraft. Ka shumë mënyra për të mësuar që nga bashkëpunimi mes nxënësve apo tek zgjidhja e problemeve më komplekse me të cilat po përballemi aktualisht.”
Teknologjia në shkolla është bërë një biznes i madh me rreth 820 milionë dollarë vetëm nëpër shkollat britanike. Shumë nga programet kompjuterike thjesht zëvendësojnë metodat tradicionale të mësimdhënies, sikurse shumëzimi. Por disa prindër nuk janë të bindur se lojërat me robotë do t’u mësojnë fëmijëve të tyre bazat e leximit, shkrimit dhe matematikës.
Kompanitë që prodhojnë programe kompiuterike për arsim po përqendrohen më shumë tek arritjet akademike dhe përgatitja e nxënësve për të ardhmen.
Këta robotë synojnë të mësojnë fëmijët e moshave të vogla se si t’i manipulojnë kompjuterat. Brenda disa vitesh ata mund të ndërtojnë robotët e tyre.
Interesi është shtuar edhe për teknologjitë në ndihmë të mësueve nëpër klasat me studentë me nevoja speciale.
Kompania franceze Tomatis ka krijuar një teknikë të dëgjuari që synon përmirësimin e të mësuarit tek nxënësit që kanë probleme me përqendrimin. Shefi i kompanisë Thierry Gaujarengues, shpjegon se muzika transmetohet në rrugë wireless ndërsa kufjet dridhen për të tërhequr vëmendjen e nxënësit që të dëgjojë mesazhin që po vjen.
Robotët humanoid po bëhen gjithnjë e më popullorë. Ky është Zeno, një robot me shprehje realiste të fytyrës. Është ndërtuar për të ndihmuar fëmijët me autizëm që të zhvillojë aftësi më të mira komunikimi. Inxhinierët po testojnë përdorimin e robotëve në kushte të ndryshme si për shembull se si të ndihmojnë njerëz që kanë probleme me kujtesën.