Diplomacia për Sirinë

Sekretari i Shtetit John Kerry thotë se ka ende ngecje që duhen kapërcyer në marrëveshjen kornizë që u arrit këtë javë nga grupet kryengritëse siriane për bisedime paqeje me qeverinë.

Megjithatë zoti Kerry shprehu bindjen se këto probleme do të zgjidhen. Ai nuk dha hollësi se për çfarë çështjesh bëhej fjalë.

Ai foli në Paris, ku ndodhet për konferencën ndërkombëtare të klimës.

Një numër grupesh kryengritëse ranë dakord me marrëveshjen kornizë në takimin e së enjtes në Riad, duke shënuar një hap përpara në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin sirian. Marrëveshja do të shërbejë si udhëzues i bisedimeve të paqes me qeverinë.