Pas sulmeve të Parisit, dilemë dhe ankth në Evropën pa kufi

  • Keida Kostreci

Në Bruksel, është kthyer një fare normaliteti me hapjen e disa shkollave dhe rivënien në funksionim të transportit publik. Por gjendja mbetet e tensionuar, ndërsa operacioni më masiv i sigurisë në kryeqytetin belg që nga Lufta e Dytë Botërore vazhdon dhe me lëshimin e një urdhri të ri arresti ndërkombëtar. Kolegia Keida Kostreci njofton se ngjarjet e fundit kanë rihapur debatet e vështira për hapat parandaluese që mund të ishin marrë, të ardhmen e Shengenit dhe sfidën e radikalizimit në Belgjikë dhe vende të tjera të Evropës.

Your browser doesn’t support HTML5

Dilema dhe Pasiguri në Evropë

Autoritetet e sigurisë në Belgjikë, janë vendosur përballë kritikave të ashpra, pasi të paktën tre nga personat e përfshirë në sulmet e Parisit, përfshirë organizatorin Abdelhamid Abaaoud, vinin nga ai vend.

Por ambasadori belg në Shtetet e Bashkuara, Johan Verbeke, thotë se e hedh poshtë idenë se gjithçka ishte planifikuar në vendin e tij.

“Ishte një përpjekje e përbashkët mes terroristëve radikalë ekstremistë që kanë bashkuar forcat në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve”.

Megjithëse e pranon se ka vend për përmirësim, ambasadori Verbeke thotë se nuk kishte ndonjë sinjal në Belgjikë ose vende të tjera para sulmeve se diçka po kurdisej në Bruksel. Fakti që një sulm i tillë u planifikua dhe ekzekutua nga njerëz që qarkullonin lirisht nga një vend në tjetrin, ka ngritur pikëpyetje për zonën pa kufij të Shengenit.

“Zona e Shengenit, që më mirë ta quajmë me emrin e vërtetë, hapësira e lirisë, ku njerëzit qarkullojnë pa pengesa të mëdha, është një nga themelet e integrimit dhe ne nuk duhet të heqim dorë prej saj, për shkak të problemeve me të cilat përballemi aktualisht”.

Por të tjerë kanë më shumë dyshime për të ardhmen e zonës pa kufij me 26 vende.

“Është një çështje ekzistenciale për të ardhmen e Bashkimit Evropian”.

Ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Peter Westmacott thotë se disa ndryshime janë të nevojshme.

“Në vende si i yni që janë jashtë Shengenit, do të përpiqen edhe më shumë që kontrolli i kufijve kombëtar të jetë më rigoroz, në mënyrë që njerëz të tillë të kapen në kufi pa pasur mundësi të shkaktojnë dëm”.

Dy ambasadorët bien dakord se duhet të forcohet kontrolli në kufijtë e jashtëm të Shengenit, të përmirësohet shkëmbimi i informacioni dhe të shtohen rivendosen masat e kontrollit në kufijtë kombëtarë në raste urgjente.

Një problem më i vështirë dhe delikat është radikalizimi. Ambasadori Verbeke e pranon se disa komunitete kanë vështirësi, por thotë se problemi i radikalizimit është individual.

“Duhet ta shikojmë si një çështje ku të rinjtë për shkak të moshës së re, sepse jetojnë në një komunitet mysliman që janë në kushte më të vështira, janë më të ekzpozuar dhe për këtë arsye më të prirur për t’iu përgjigjur tundimit për aventurë”.

Ai thotë se Belgjika është një vend i hapur dhe kozmopolitan dhe nuk do të heqë dorë nga vlerat e saj, por e pranon se mund të bëhet më shumë për përmirësimin e gjendjes.

“Ne do të bëjmë përpjekje më të mëdha për të integruar komunitetin mysliman në shoqërinë tonë, në mënyrë që të jemi vërtet ajo shoqëri shumëtnike, shumëkulturore për të cilën jemi krenarë”.

Ambasadori britanik Westmacott thotë se është e rëndësishme që të mos stigmatizohen grupe të tëra për shkak të veprimeve të disa individëve.

Ndërkohë, vendeve evropiane u duhet të përballen me sfidën afatshkurtër të neutralizimit të personave të përfshirë në sulmin e Parisit dhe që ndoshta synojnë akte të ngjashme, dhe atë afatgjatë të integrimit të grupeve të izoluara në një pjesë të botës ku kufijtë e hapur – për një kohë të gjatë burim krenarie – janë kthyer të paktën për momentin në arsye për pasiguri dhe frikë.