Çfarë ndodhi në Bengazi?

APTOPIX Congress Benghazi

Një vështrim mbi hetimin në Uashington të sulmeve në Bengazi, të Libisë, tre vjet më parë, që vranë katër amerikanë, përfshi ambasadorin Chris Stevens.

Çfarë ndodhi në Bengazi?

Sulmi mbi kompleksin diplomatik amerikan në qytetin port të Mesdheut në Libi ka ndodhur më 11 shtator, 2012 – në 11 vjetorin e sulmeve terrroriste kundër Shteteve të Bashkuara në vitin 2001. Sulmi në Bengazi ndodhi në tri episode, të shpërndara në tetë orë, në dy vende. Disa sulmues u ngjitën në murin e misionit diplomatik pasi ra nata dhe hapën derën, duke lejuar dhjetëra njerëz të armatosur të hynin brenda. Ata i vunë zjarrin ndërtesës. Ambasadori Kris Stivens dhe Sean Smith, një specialist komunikimi në Departamentin e Shtetit, u mbytën nga tymi në një dhomë të sigurt në kompleks; të dy më vonë vdiqën.

Disa orë më vonë, një ndërtesë aty pranë e CIA-s u sulmua dy herë. Kontraktuesit e CIA-s, Tyrone Woods dhe Glen Doherty, roje sigurie, u vranë duke mbrojtur ndërtesën. Një ekip prej gjashtë zyrtarësh të sigurisë të thirrur nga Tripoli dhe një njësi ushtarake libiane ndihmuan në evakuimin e personelit të mbetur amerikan.

Çfarë është komisioni dhe çfarë ka ndodhur në 17 muaj të punës hetimore?

Komisioni i Posaçëm mbi ngjarjet rreth sulmit terrorist të vitit 2012 në Bengazi të Libisë , u krijua në maj të vitit 2014 për të hetuar shkaqet dhe përgjigjet për të dy sulmet.

Megjithë shtatë hetimet e mëparshme të kongresit për Bengazin, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner akuzoi administratën për mbulim faktesh dhe bëri thirrje për krijimin e komisionit të posaçëm.

Ky komision ka shpenzuar deri tani 4.5 milion dollarë për hetimin, ka intervistuar dhjetëra dëshmitarë dhe ka shqyrtuar mijëra faqe dokumentash. Ai pritet të vazhdojë punën e tij deri në vitin 2016 - një vit zgjedhjeve presidenciale - dhe pritet të nxjerrë një raport mbi përfundimet e tij.

Deri këtë muaj, hetimi i Bengazit ka marrë më shumë kohë se sa hetimet e kongresit për skandalin politik të Watergate-t në vitet 1970.

Cilat janë kritikat e fundit ndaj komisionit?

Kryetari i Komisionit Trey Gowdy është detyruar të mbrojë komisionin gjatë javëve të fundit, sidomos pasi disa republikanë të tjerë sugjeruan se qëllimi i vërtetë i komisionit ishte të diskreditonte ambiciet presidenciale të zonjës Klinton.


A është kapur dikush në lidhje me sulmin?

Ahmed Abu Khattala u kap në qershor të vitit 2014 nga forcat speciale amerikane dhe u soll në Shtetet e Bashkuara për t'u përballur me drejtësinë. Khattala, 43 vjec, është militanti i parë që do të ndiqet penalisht për dhunën në Bengazi. Ai fillimisht u akuzua për konspiracion për të siguruar mbështetje për terroristët dhe shumë akuza të tjera që mund të sjellin dënimin me vdekje nëse shpallet fajtor.

Çfarë ka ndodhur në Bengazi, dhe Libi në përgjithësi, gjatë tre viteve të fundit?

Pavarësisht shpresave se një sistem demokratik do të dilte pas revoltës të vitit 2011 kundër diktatorit Moamar Gadafi, Libia është zhytyr në kaos dhe dhunë që përfshin një numër fraksionesh të armatosura.

Shteti i Afrikës së Veriut tani ka dy qeveri rivale, me dy parlamente dhe madje edhe dy kompani shtetërore të naftës. Secili shtet mbështetet nga një koalicion forcash të armatosura.

Për një vit, kryeqyteti Tripoli, kontrollohet nga Agimi i Libisë, një aleancë e armatosur e ish-rebelëve të qytetit Misrata dhe brigadave me prirje islamike që kanë ngritur qeverinë e tyre.

Qeveria dhe Parlamenti i njohur ndërkombëtarisht punon në Libinë lindore, të mbështetur nga një rrjet fraksionesh të armatosura, duke përfshirë një ish-aleat të Gadafit, gjeneralin Khalifa Haftar.