Që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Barak Obama ka folur direkt ose ka nxjerrë deklarata me shkrim për 15 incidente me armë zjarri që kanë shkaktuar një numër viktimash. Në incidentin e fundit 10 vetë gjetën vdekjen në një universitet në Oregon, duke rizgjuar debatin lidhur me ligjet për kontrollin e armëve. Por ndryshimi i ligjeve nuk është i lehtë. Korrespondentja Carolyn Presutti shpjegon përse miratimi i ligjeve të reja nga Kongresi për të forcuar kontrollin e armëve është aq i vështirë.
Incidente me përmasat e një masakre si ai në Oregon, ringjallin thirrjet e presidentit Obama për ligje më të forta.
“Duhet që Kongresi dhe legjislaturat e guvernatorët e shteteve të bashkëpunojnë me mua në këtë temë”.
Kjo nuk realizohet lehtë, së pari për arsye të traditës. Disa thonë se amendamenti i dytë i kushtetutës u jep amerikanëve të drejtën për të zotëruar armë. Vin Weber, ish-ligjvënës republikan, punon tani si lobist.
“Armët janë pjesë e mitologjisë amerikane, zotërimi i armëve është një element thelbësor për identitetin tonë si komb”.
Një tjetër arsye është Shoqata Kombëtare e Armëve, e njohur këtu me inicialet NRA, e cila ka shpenzuar gjatë tre vjetëve 10 milionë dollarë për të lobuar për të drejtën e armëmbajtjes. Kjo organizatë ka 4 milionë anëtarë.
“Shoqata NRA është e fuqishme pasi përfaqëson individë që janë të angazhuar në procesin politik, të cilët ngrenë zërin dhe votojnë”.
Zakonisht demokratët propozojnë ligje për kontrollin e armëve, republikanët votojnë kundër tyre. Chuck Schumer është senator demokrat:
“Nëse amerikanët nuk ngrenë zërin, ngërçi politik mbi këtë çështje nuk do të zgjidhet”.
Por ka edhe një arsye tjetër. Një anketë e organizatës PEW tregon se amerikanët janë të përçarë mbi këtë çështje: 52% mbështesin armëmbajtjen.
“Ky fakt pasqyron pikëpamjen që kanë shumë amerikanë se u duhet arma për vetëmbrojtje”.
Një grup aktivistësh i bëjnë thirrje Presidentit Obama të anashkalojë Kongresin dhe t’u bëjë presion kompanive prodhuese të armëve për të bërë publike linjat e shpërndarjes dhe për të ndëshkuar tregtarët e armëve, kur armët që kanë shitur përdoren për vepra penale.
“Nuk kërkojmë forcimin e kontrollit mbi armët. Vetëm duam që armët të mos bien në duart e elementëve kriminalë”.
Disa thonë se incidentet nuk do të ndalin deri kur të bëhet diçka. Por çfarë do të bëhet dhe si do të realizohet ende nuk është e qartë.