Kosova pritet të nënshkruajë javën e ardhshme marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. Nënshkrimi i marrëveshjes që shënon edhe vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian, do t‘i jap fund një procesi, negociatat për të cilin filluan në tetor të vitit 2013 dhe ato u siguruan pas angazhimit të Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Your browser doesn’t support HTML5
Në korrik të vitit 2014, Kosova dhe Komisioni Evropian hodhën inicialet e tyre në marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, nënshkrimi i së cilës javën që vjen pritet të pasojë një takim ndërmjet shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në të cilin do të diskutohet për rrjedhën e procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndërmjet tyre.
Kosova ishte ngecur në këtë proces për shkak të mungesës së konsensusit brenda Bashkimit Evropian, pesë vende anëtare të të cilit vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, më vonë u arrit pajtimi që kjo marrëveshje të mos ketë nevojë të ratifikohet nga parlamentet e shteteve anëtare, siç ka ndodhur me vendet tjera.
Mungesa e këtij konsensusi ka bërë që Kosova të jetë prapa të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimorë në proceset integruese. Qytetarët e saj janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shëngen. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha të mërkurën se deri në fund të nëntorit, vendi do të plotësojë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Zyrtarë evropian i thanë Zërit të Amerikës se proceset janë ngadalësuar edhe për shkak të zhvillimeve në Kosovë, duke radhitur këtu krizën gjashtëmuajshe institucionale të vitit të kaluar, që pasoi zgjedhjet parlamentare, por edhe fillimin e ngathtë te qeverisjes në këtë vit si dhe ngecjet në fushën e sundimit te ligjit. Një shtysë proceseve u ka dhënë ndërkaq miratimi i Gjykatës së Posaçme për krime lufte.
Nënshkrimi i marrëveshjes për stabilizim asociim, ndodhë në një periudhë kur autoritetet po përballen më kritika të ashpra nga partitë opozitare të cilat kanë bllokuar tash e dy javë edhe punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Mospajtimet më të thella pasuan marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që parasheh një shkallë të gjerë autonomie për këtë komunitet. Partitë opozitare kërkojnë tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet që i shohin si të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.
Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Beogradi shpreson që brenda këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim, por diplomatët thonë se atij vendimi duhet t’i paraprijë vlerësimi i zbatimit në terren të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kapitulli i parë i bisedimeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë.