Libri "Shqiponjat fluturojnë lart"

Këto ditë mbushet një vit nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri. Gazetari Zef Përgega sapo ka botuar një libër mbi këtë ngjarje, ku përfshihen mesazhet e Papës dhe një mori detajesh dhe fotosh nga ajo vizitë. Ai pohoi gjatë paraqitjes së botimit në katedralen e Shën Palit në Tiranë se edhe pse kaloi një vit nga ajo vizitë, mesazhet e Atit të Shenjtë janë aktuale dhe me rëndësi afatgjate.

Your browser doesn’t support HTML5

Zef Përgega me librin Shqiponjat fluturojnë lart

Gazetari Zef Përgega publikoi sot mes një grupi autorësh, miqsh dhe gazetarësh librin e tij më të fundit “Shqiponja fluturojnë lart” kushtuar vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri.

Libri përmban gjithë materialet e asaj vizite me rëndësi për Shqipërinë, mesazhet që u dhanë nga papa Francesku dhe mendimet e personaliteteve të ndryshme mbi këtë ngjarje të rëndësishme.

Botimi “Shqiponjat fluturojnë lart” u paraqit sot në një takim te katedralja e Shën Palit në Tiranë, ku morën pjesë, bashkë me pjesëmarrës të tjerë edhe nunci apostolik i Selisë së Shenjtë, Kryeipeshkv Ramiro Moliner Inglés.

Autori tha se e ka ndjekur nga afër vizitën e papës, duke ardhur në Tiranë nga SHBA, ku edhe jeton prej disa vitesh.

Botuesit dhe studiuesit që morën pjesë vlerësuan këmbënguljen e autorit Zef Përgega për hartimin e librit kushtuar Papa Franceskut.

Në këtë libër është përfshirë edhe një kapitull i vecantë mbi historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë në shekuj.

Vizita e Papa Franceskut një vit më parë në Shqipëri pati jehonë të gjerë në shtypin botëror për mesazhet e saj në favor të paqes dhe bashkëjetesës ndërfetare.

Ajo ishte vizita e parë që Papa Francesku kreu në një vend europian dhe në meshën e tij deklaroi se Shqipëria është një shembull i madh për gjithë botën me tolerancën dhe harmoninë fetare të besimtarëve.

Papa Francesku u kujtoi dëgjuesve që shqiponjat shqiptare vërtet fluturojnë lart, por ato gjithmonë kthehen në folenë e tyre, duke ruajtur lidhjet me tokën.

Ky mesazh është në titull dhe në qendër të librit të gazetarit Zef Përgega.