Wang Yi: Pezullohet projekti për territor në Detin e Kinës Jugore

Ministri i jashtëm kinez thotë se Kina ka pezulluar operacionet për krijim territori në Detin e Kinës së Jugut.

Ministri Wang Yi foli sot në forumin e ASEAN-it në Malajzi, ku u takua edhe me Sekretarin e Shtetit John Kerry.

Zoti Wang u pyet nga gazetarët lidhur me projektet e krijimit të territorit, që kanë shkaktuar shqetësim për shumë vende. Ai u përgjigj se Kina i ka ndalur operacionet.

Më parë sot Sekretari Kerry shprehu shqetësim në bisedën me zotin Wang lidhur me këto operacione në shkallë të gjerë, ndër të cilat edhe përpjekje për instalime që u ngjajnë objekteve ushtarake.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se zoti Kerry kishte ritheksuar shqetësimin për tensionet në Detin e Kinës së Jugut ku kalojnë disa nga korridoret më të ngarkuara tregtare të botës.

Kina po krijon ishuj artificialë në ujëra ku kanë pretendime territoriale Vjetnami, Malajzia, Tajvani dhe Filipinet.