Në Shqipëri, prokuroria ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për manipulime me listat zgjedhore të paktën në dy raste të denoncuara nga opozita, në Durrës dhe së fundmi në Kavajë
Bëhet fjalë për një shtim të pazakontë të regjistrimeve të banorëve të rinj vecanërisht javët e fundit. Në Durrës, sipas verifikimeve të opozitës janë afër 2900 persona të cilat janë regjistruar brenda një periudhe të shkurtër kohore, kryesisht në gjysmën e dytë të muajit prill, si banues të rinj, në mjedise të ofruara nga Bashkia apo dhe në një pallat që sipas opozitës është ende në ndërtim. Për këtë rast opozita bëri denoncim në Prokurori, sikurse dhe Komisioni qëndror i zgjedhjeve kërkoi po ashtu një hetim.
E njejta skemë, sipas opozitës është përdorur dhe në Kavajë, ku vetëm dy javët e fundit sipas saj janë regjistruar afër 600 banorë të rinj, të ardhur nga qytete të tjera. Janë të paktën 195 kontrata qeradhënieje, të firmosura nga kryetari aktual i Bashkisë Elvis Roshi, i cili kandidon për një mandat të ri. Opozita shpjegoi se të gjithë këta persona rezultojnë të kenë si vendbanim një fabrikë të rrënuar. Edhe për këtë rast Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi mbrëmë hetim nga Prokuroria e cila ka nisur prej tre ditësh veprimet e saj, pas denoncimit të bërë nga opozita. Deri më tani, hetimet janë në fazën e verifikimit nëse ka apo jo vepër penale, shpjeguan burime zyrtare nga organi i akuzës.