SHBA, thirrje për dialog mes palëve në Maqedoni

  • Keida Kostreci

Departamenti amerikan i Shtetit tha se po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Maqedoni dhe bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë. Por Rusia ka hedhur një teori paralele sipas së cilës, perëndimi i ka nxitur protestat kundër qeverisë së Nikola Gruevskit si reagim ndaj mbështetjes së tij për një projekt rus energjie përmes Ballkanit. Në Washington, një ekspert thotë se problemi qëndron tek angazhimi i pamjaftueshëm, jo i tepërt i Uashingtonit dhe BE-së. Kolegia Keida Kostreci njofton:

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, thirrje për dialog mes palëve në Maqedoni

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Jeff Rathke tha dje se Departamenti i Shtetit dhe partnerët evropianë u kanë shprehur shqetësimet qeverisë maqedonase dhe udhëheqësve politikë për krizën aktuale politike.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë të drejtat e grumbullimit dhe lirinë për protesta paqësore, por të frenohen nga dhuna. U kemi kërkuar autoriteteve që të marrin hapa për identifikimin e përgjegjësive mbi akuzat për shkelje nga ana e qeverisë lidhur me informacionet e bëra publike së fundmi”.

Zoti Rathke tha se Uashingtoni i ka bërë thirrje partisë së opozitës që të kthehet në parlament, që të marrë pjesë në mbikqyrjen e institucioneve. Përfshirë komisionin për hetimin e informacioneve nga përgjimet. Ai shtoi se hapat për zëvendësimin e zyrtarëve të implikuar të qeverisë ishin inkurajues.

“Por ne besojmë se të gjithë udhëheqësit e Maqedonisë duhet të punojnë së bashku dhe të angazhohen në dialog për çështje me të cilat përballet vendi, përfshirë reformat e nevojshme dhe krizën aktuale politike”.

Por ndërsa qeveritë dhe organizatat perëndimore vazhdojnë të shprehin shqetësimin për gjendjen, Rusia ka hedhur një teori alternative, sipas së cilës perëndimi është organizatori i protestave kundër Gruevrskit, si kundërpërgjigje ndaj bashkëpunimit të tij me Moskën.

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha të premten në Serbi se ngjarjet në Maqedoni po “zhvillohen në kontekstin e refuzimit të qeverisë (maqedonase) për të rënë dakord me politikën e sanksioneve kundër Rusisë dhe mbështetjes së fuqishme që Shkupi ka shprehur për projektin e gazsjellësit turk.

Ai i referohej idesë për një projekt që ka hedhur Moska për të zëvendësuar Gazsjellësin e Jugut përmes Evropës juglindore, që u braktis pas kundërshtimit të BE-së.

Ministria e Jashtme ruse dhe diplomatët rusë folën për plane nga jashtë për “përpjekje për ta shtyrë vendin në humnerën e një revolucioni si ato me ngjyra”.

Por një ekspert amerikan i politikave të energjisë thotë se ajo që po ndodh në Maqedoni nuk është rivalitet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Richard Kauzlarich është Bashkëdrejtor i Qendrës për Shkencën dhe Politikën e Energjisë, dhe ish-ambasador në Bosnje.

“Më vjen keq ta them por një nga problemet është se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë kushtuar vëmendjen e caktuar Ballkanit në përgjithësi, veçanërisht Maqedonisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Dhe të dyja ato vende tani siç kemi parë javët e fundit kanë pasur incidente të brendshme sigurie që kanë shkaktuar vdekje dhe mendoj se u rikujtuan Uashingtonit dhe Brukselit rëndësinë e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe angazhimit të tyre në rajon”.

Edhe senatori demokrat Chris Murphy tha në një deklaratë se kriza në Maqedoni është një kujtesë që Shtetet e Bashkuara nuk duhet “ta marrin si të mirëqenë “paqen dhe stabilitetin në Ballkan”.

Ish-ambasadori Kauzlarich thotë se nuk është sekret që Shtetet e Bashkuara duan që Evropa të diversifikojë burimet e saj të energjisë. Por me gjithë pretendimet e Moskës, ai thotë se nuk sheh shenja të ndonjë dëshire për të hapur ndonjë front të ri konflikti SHBA-Rusi lidhur me energjinë në Ballkan.