TV shtetëror turk nuk transmeton reklamën e opozitës

Radiotelevizioni shtetëror turk nuk ka pranuar të transmetojë një reklamë nga Partia Popullore Republikane në opozitë pasi ajo kritikonte drejtpërdrejt Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet, duke shkaktuar kështu reagime të ashpra nga organizatat e shtypit dhe aktivistë të të drejtave.

Vendimi i korporatës turke të radio-televizionit vjen vetëm pak javë para zgjedhjeve të rëndësishme parlamentare ndërsa shtohet presioni qeveritar ndaj medias në vend, duke nxitur protesta nga sindikatat e shtypit dhe aktivistë të të drejtave. Ata thonë se lëvizja është pjesë e ofensivës disa mujore ndaj medias nga qeveria, ku përfshihen urdhra gjyqësorë, bastisje policore, ndërprerje të rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter, si dhe hetime ndaj gazetarëve.

Qendrimi pro qeverisë i kanalit TRT ka provokuar kritika të ashpra gjatë javëve të fundit ndërsa vitin e kaluar shoqatat e gazetarëve bënë thirrje për dorëheqjen e drejtuesve për dështim në ruajtjen e ekuilibrit gjatë zgjedhjeve presidenciale. TRT po ashtu u kritikua edhe nga bordi elektoral i vendit.

Të shtunën, radio-televizioni shtetëtor turk nuk pranoi një reklamë nga Partia Popullore Republikane që njihet si CHP, pjesë e fushatës elektorale para zgjedhjeve të 7 qershorit, duke argumentuar se sulmon ashpër qeverinë islamiste AKP. Reklama nuk u transmetua as nga kanalet e lidhura me TRT por vetëm nga disa stacione private. CHP është partia më e madhe opozitare në parlamentin turk.

Zëvendës kryetari i partisë CHP, Enis Berberoglu publikoi në Twitterin e tij deklaratën e kanalit TRT. Ai shkruante se “TRT kishte njoftuar përmes një deklarate me shkrim se nuk do të transmetonte reklamën e partisë CHP. Justifikimi për vendimin, shkruan ai, është shembull i humorit të errët pasi CHP kritikon qeverinë. Por si mund të angazhohet një parti opozitare në politikë pa kritikuar qeverinë në pushtet në një sistem demokratik, shkruante ai. Jam i hapur për sugjerime”, përfundonte shkrimi në Twitter.

Politikanët e opozitës thonë se TRT nuk kishte patur kundërshtime ndaj një reklame të mëparshme nga partia në pushtet AKP, ku argumentohej për manipulime fetare. Drejtuesit e TRT thonë se nuk kishin rrugë tjetër përveç refuzimit të reklamës së partisë CHP sepse binte ndesh me ligjin që ndalon reklamat ku përfshihen “vërejtje shpifëse dhe abuzive që tejkalojnë kritikat”.

Argumenti mbi vendimin e televizionit shtetëror vjen ndërkohë që kryeministri Ahmet Davutoglu paraqiti një ankesë ligjore kundër redaktorit të gazetës Zaman, Bulent Kenes, lidhur me një shkrim të publikuar në variantin anglisht të së përditshmes, për të cilin thotë se e kishte ofenduar. Avokatët e tij kërkojnë që prokurori i përgjithshmën i Ankarasë të fillojë procesin kundër zotit Kenes.

Artikulli, që kryeministri e quan ofendues, u publikua me 26 mars. Ai kritikohet aty për dështim në frenimin e ambicieve autoritare të presidentit Recep Tayyip Edogan. Në artikull shkruhej, “...si çdo person ambicioz që është i prirur për tu bërë dikatator, Erdogan ekspozon potencialin e tij për të kërcënuar demokracinë, zbatimin e ligjit dhe paqen sociale, por është pafuqia politike me dashje e zotit Davotouglu që e kthen këtë në një problem real”, shkruante zoti Kenes.

Gazetat e pavarura dhe stacionet televizive prej kohësh janë përfshirë në një beteje më qeverinë e partisë AKP, e cila thotë se media është shumë shpesh e papërgjegjshme me mbulimet e saj. Në dhjetor, më shumë se 20 gazetarë u arrestuan në një përpjekje që shkaktoi kritika ndërkombëtare se Turqia po shkon drejt autoritarizmit. Parlamenti Evropian e qortoi Ankaranë për arrestimet e gazetarëve në dhjetor, disa prej të cilëve u përballen me akuza për terrorizëm.

Në janar, presidenti Erdogan përdori një gjuhë të ashpër ndaj gazetës opozitare laike Cumhuriyet për publikimin e pjesëve të shkrimeve nga revista franceze Charlie Hebdo si një gjest solidariteti pas sulmit terrorist ku u vranë tetër pjestarë të revistës satirike nën zjarrin e armëve të militantëve islamikë.

“Ku mendon se jeton”, shprehej zoti Erdogan në fjalimin e tij. “Ju nuk mund të fyeni vlerat e shenjta të dikujt tjetër përmes kësaj. Ai vazhdonte më tej: “Ata mund të jenë ateistë, por nëse janë, ata do të respektojnë atë që është e shenjtë për mua. Në të kundër kjo është provokim, i cili është i dënueshëm me ligj”, tha zoti Erdogan.