Të krishterët në mbarë botën festojnë sot ditën më të shenjtë të kalendarit të tyre fetar, Pashkët, për të shënuar momentin kur sipas krishtërimit, pas tre ditësh kryqëzim, Krishti u ngjit në qiell.
Papa Françesku po e shënoi këtë ditë me një Meshë në Sheshin e Shën Pjetrit. Ai u lut që t’i vijë fundi persekutimit të të krishterëve, duke kujtuar studentët që u masakruan nga ekstremistë islamikë në universitetin Garisa të Kenias.
Sulmet ndaj të krishterëve në Afrikë dhe Lindjen e Mesme kanë krijuar një hije zymtësie mbi festimet e këtij viti.
Shumë të krishterë këtu në Shtetet e Bashkuara, qofshin katolikë apo protestantë, shkojnë në kishë për këtë festë, megjithëse numri i amerikanëve që frekuentojnë objekte kulti rregullisht gjatë vitit ka rënë ndjeshëm.
Festa është një formë festivali pranveror, me veshje gazmore për fëmijët, lojëra për të gjetur vezët e fshehura dhe shëtitje apo piknik në natyrë.
Mijëra të krishterë u mblodhën mbrëmë në Jeruzalem pranë Kishës së Varrit të Shenjtë ku shumë të krishterë besojnë se Krishti u kryqëzua dhe u varros.