Në Shqipëri një figurë e njohur e botës së biznesit, Artan Santo mbeti sot i vrarë në një atentat në qendër të kryeqytetit. Zoti Santo, pronar mediash dhe drejtor i përgjithshëm i Credins Bank, ku ishte dhe ortak, është qëlluar me pistoletë nga dy persona ende të paidentifikuar, të cilët janë larguar më pas me një motor. Policia, e cila ka vënë një shpërblim prej 100 mijë eurosh për këdo që jep informacion mbi vrasësit, ndaloi pasdite dy persona, njëri prej të cilëve pronar i motorrit të përdorur nga dy atentatorët. E gjithë bota politike dhe financiare në Shqipëri ka dënuar ashpër vrasjen.
Your browser doesn’t support HTML5
Një ndër biznesmenët e njohur të vendit, Artan Santo, ishte pak metra larg hyrjes së bankës Credins të cilën ai dhe disa biznesmenë shqiptarë themeluan 11 vjet më parë, kur qëllua për vdekje. Dy persona me skafandra në kokë, të cilët e kishin ndjekur bankierin që nga dalja e tij prej banesës, i janë afruar duke shtënë fillimisht tre plumba, dhe më pas disa të tjerë ndërsa trupi i tij kishte rënë në tokë.
Atentatorët janë larguar menjëherë me një motorr të shpejtë. Ata u ndoqën fillimisht nga një polic i qarkullimit rrugor, ndaj të cilit mësohet se kanë shtënë sërish me pistoletë, e më pas nga tjetër punonjës i policisë, i cili humbi gjurmët e tyre në rrugën mes Tiranës dhe Fushë Krujës. Postoblloqe të shumta u ngritën në këtë zonë, ndërsa policia ka ndaluar një person i cili ka rezultuar të ishte pronari i motorrit. Ai ka deklaruar se mjetin e kishte shitur te një servis pranë Fushë Krujës ku është ndaluar një person i dytë. Të paktën 100 mijë euro janë vënë në dispozicion të kujtdo që jep informacione mbi vrasësit.
Artan Santo ishte një njeri i njohur në botën e financës. Ai drejtonte të parën Bankë me kapital shqiptar, e cila kishte mundur ndër vite të shtrinte aktivitetin e të bëhej ndër bankat e rëndësishme në vend. Vitet e fundi zoti Santo u përfshi me investime dhe në fushën e medias. Ai ishte pronar i televizionit me profil financiar Scan Tv, si dhe bashkortak i grupit Focus Group, që ka në zotërim televizionin News 24, të përditshmen Gazeta Shqiptare, portalin e informacionit Balkaweb dhe radion Rash.
Reagimet për ngjarjen ishin të shumta që nga autoritetet dhe bota politike, te përfaqësuesit e biznesit. Ndërsa flet për një lajm të rëndë, presidenti Bujar Nishani shprehet në një mesazh të tij se “Kjo dhimbje e madhe e shkaktuar nga dora e zezë e krimit, nuk duhet lënë pa u ndëshkuar. Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të marrin masat për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, dhe të dërgojnë para drejtësisë autorët e saj”.
Kryeministri Edi Rama ne mesazhin e tij shkruan “Na vranë mizorisht një mik të mirë, që donte jetën e donte njerëzit”. Për “vrasje barabare” flet edhe kryetari i parlamentit Ilir Meta. Kryetari i opozitës Lulzim Basha, ndërsa e quan “mizore” vrasjen e zotit Santo, shton se “Ky krim i pashembullt mafioz është një alarm i madh qytetar për të gjithë”. Mbi ngjarjen reaguan edhe Banka e Shqipërisë, shoqata e bankave që veprijnë në vend si dhe shoqatat e biznesit.
Vrasje e sotme është një ndër ngjarjet më të rënda të regjistruara vitet e fundit në Shqipëri e për të do të diskutohet gjatë, të paktën për aq kohë sa autorët do të mbeten të panjohur.